Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimi (ONM) duhet të dorëzojë rekomandimet për 29 kandidatët për anëtarë të institucioneve të vetingut, deri më datë 9 mars.
Më 17 shkurt, Avokati i Popullit i ka dorëzuar ONM-së listën me kandidatët që plotësonin kriteret ligjore për të qenë pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA).
Nga rreth 200 kandidatë, Avokati i Popullit ka vlerësuar se vetëm 29 prej tyre i përmbushnin këto kushte. Nga 29 kandidatë, do të përzgjidhen 27 për të qenë anëtarë të KPK-së dhe KA-së, dy institucionet qe do të kryejnë procesin e verifikimit të figurës së gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjëve të tjerë të lartë të sistemit të drejtësisë.
OMN-ja, që ka për detyrë të mbikëqyrë procesin e vetingut, ka kohë deri më 9 mars për t’i dorëzuar rekomandimet e saj tek Kryetari i Kuvendit.
Më pas, deri më 14 mars, Kreu i Kuvendit duhet t’i kërkojë grupeve parlamentare kandidaturat për anëtarët e dy komisioneve ad hoc që do të miratojnë kandidaturat që më pas do të votohen në parlament. Gjithsej në dy komisonet do të jenë 18 deputetë: një komision ka 6 anëtarë nga maxhoranca e 6 nga opozita, ndërsa komisioni tjetër ka 3 anëtarë nga maxhoranca e 3 nga opozita.
Nëse të gjithë afatet respektohen, në seacën plenare të 16 marsit, kuvendi duhet të votojë anëtarët e dy komisioneve ad hoc, që më pas do të shqyrtojnë listën e kandidaturave për anëtarët e dy institucioneve të vetingut, KPK dhe KA.
Përbërja e ONM-së
Pavarësisht se kushtetuta parashikon fillimin e punës së ONM-së, institucione si Ministria e Drejtësisë apo ajo e Integrimit kanë ngritur shqetësime për përbërjen e ONM-së.
Sipas nenit B të Aneksit të Kushtetutës, OMN-ja duhet të përbëhet nga pesë ekspertë të ligjit me të paktën 15 vjet përvojë. ONM përbëhet nga vëzhgues nga vendet partnere të Shqipërisë—anëtare të NATO-s ose të BE-së dhe drejtohet nga spanjollja Genoveva Ruiz Calavera, përfaqësuese e Komisionit Evropian.
Më 8 shkurt, gjatë deklaratës prezantuese në Shqipëri, Zonja Ruiz Calavera përmendi Bordin e Menaxhimit të ONM-së, një institucion që nuk parashikohet në Kushtetutë.
Sipas Zonjës Ruiz Cavalera, Bordi do të ketë rol mbikëqyrës dhe koordinues, edhe pse Kushtetuta nuk përmend ndonjë funksion të tillë.