Tashmë është e qartë se kam treguar një interes të vazhdueshëm për çështjen e “opinionit ligjor” të EURALIUS IV, të dërguar, më 13 nëntor 2017, Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore Ulsi Manja. Ky opinion, i cili është i vetmi opinion ligjor i hartuar nga EURALIUS gjatë gjithë misionit të tij 2014-2017, i dha shumicës socialiste të Edi Ramës “argumentin” aq shumë të nevojshëm për të emëruar në mënyrë antikushtetuese Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, e cila pas emërimit ka bërë një kërdi anti-kushtetuese në sistemin e prokurorisë.
Problemi qëndron pikërisht në ligjshmërinë e këtij opinioni dhe çështjen nëse EURALIUS ka të drejtë të lëshojë një opinion të tillë. Misionet e ndihmës ligjore të financuar nga BE kanë mandate të përcaktuara qartë, pjesërisht me qëllim për të shmangur ndërhyrje të dyshimta të BE-së në politikën vendase.
Pikërisht, për të kuptuar më mirë dhe më saktë mandatin dhe detyrimet kontraktuale të EURALIUS-it ndaj klientit të tij, pra Komisionit Evropian, Exit.al kërkoi kontratën ndërmjet Komisionit Evropian dhe konsorciumit që menaxhon EURALIUS IV, i cili drejtohet nga IRZ, një organizatë jofitimprurëse gjermane. Sikurse është zakoni i Komisionit Evropian, pjesë të mëdha të kontratës ishin të fshira, sipas Komisionit për të mbrojtur “interesin tregtar” të IRZ-së, por Aneksi X Procedurat standarde të veprimit na u dërgua krejtësisht i paprekur. Në paragrafin hyrës të tij pohet si më poshtë:
“Qëllimi i këtyre Procedurave Standarde të Veprimit (PSV) është të shpjegojë politikat dhe procedurat kryesore të projektit EURALIUS IV.
Politikat janë parime dhe vlerat të përgjithshme të cilat kanë për qëllim të drejtojnë punën dhe detyrat e anëtarëve të projektit në përputhje me objektivat e projektit. Procedurat mund të jenë të një natyre të përgjithshme ose të veçantë. Çdo anëtar i personelit duhet të njihet mirë me Procedurat Standarde të Veprimit dhe t’u bindet atyre.
Nëse një anëtar ndeshet me një gjendje, e cila nuk është përfshirë në Procedurat Standarde të Veprimit, prej tij pritet që të përdorë gjykim të shëndoshë dhe të veprojë në përputhje me thelbin e objektivave dhe vlerave të këtij projekti.”
Për këtë arsye, të gjithë anëtarët e personelit të projektit EURALIUS IV, në veçanti drejtuesja e tij Agnes Bernhard, e cila firmosi letrën shoqëruese të opinionit ligjor të 13 nëntorit, duhet të kenë qenë njohur me Kapitullin II të Procedurave Standarde të Veprimit, “Protokolli dhe Marrëdhëniet me Institucionet Shtetërore”:
“Në bazë të PSV, pjesëtarët e EURALIUS janë të lirë të komunikojnë me “Ministrinë e Drejtësisë, institucionet gjyqësore dhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm” pa miratim paraprak nga Delegacioni i BE-së në Tiranë. Komunikimi me qeverinë mbi nivelin e Drejtorit të Përgjithshëm kërkon miratimin e Delegacionit të BE-së, ndërsa çështjet diplomatike mund të kryhen vetëm përmes Delegacionit të BE-së.”
Megjithatë, opinioni ligjor i lëshuar më 13 nëntor, i cili pati një ndikim të konsiderueshëm mbi shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe që shkaktoi krizë kushtetuese, nuk i drejtohej as Ministrisë së Drejtësisë dhe as ndonjë drejtorie të qeverisë. Ai i drejtohej një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë.
Miratimi paraprak i Delegacionit të BE-së është i nevojshëm për të komunikuar me nivelet sipër drejtorit të përgjithshëm nëpër ministri, ndaj do të ishte në frymën e kontratës të komunikonte me Delegacionin e BE-së, përpara se të niste një dokument të debatueshëm një deputeti të shumicës parlamentare.
Prandaj, Exit.al i kërkoi Delegacionit të BE-së në Tiranë të dinte nëse EURALIUS IV kishte marrë miratimin paraprak të Delegacionit para se t’ia dërgonte opinionin ligjor deputetit Ulsi Manja. Të premten e shkuar, ne morëm përgjigjen e mëposhtme:
“EURALIUS ua jep shërbimet e tij drejtpërdrejt përfituesve: autoriteteve shqiptare. Opinionet e tyre ligjore janë ato të ekspertëve të pavarur.
Ata nuk kërkojnë dhe nuk u duhet miratimi paraprak i Delegacionit të BE-së.”
Sikurse mund të kuptohet qartë nga përgjigjja, duket se Delegacioni i BE-së është i painformuar për Procedurat Standarde të Veprimit të misionit EURALIUS IV.
Këto procedura qartësisht përcaktojnë se në rastin kur EURALIUS nuk komunikon me kundrapalët e tij kryesore në qeverisje—Ministrinë e Drejtësisë, gjykatat dhe zyrë e Prokurorisë— është i nevojshëm miratimi paraprak nga Delegaconi.
Prandaj, pohimi si EURALIUS “nuk kërkon dhe nuk i duhet miratim paraprak nga Delegacioni” është i rremë.
Kontrata përcakton rastet për të cilat ky miratim është i nevojshëm dhe ka një argument të fortë se opinioni ligjor lëshuar për Kryetarin e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja është një nga këto raste.
Për më tepër, përgjigjja tregon se EURALIUS nuk ka kërkuar miratimin paraprak të Delegacionit për opinionin ligjor, në shkelje të dukshme të vetë procedurave të misionit të parashikuara më kontratën mes tij dhe Komisionit Evropian.
Përgjigjja e Delegacionit ngre, gjithashtu dy pyetje pyetje të tjera shqetësuese:
— Në sa raste të tjera misioni EURALIUS ka shkelur kontratën që ka me Komisionin Evropian?
— Në sa raste të tjera Delegacioni i BE-së ka dështuar në ushtrimin e mbikëqyrjes dhe kontrollit të nevojshëm për projekte të cilat kushtojnë miliona euro nga paratë publike?