Me modelin e testuar me sukses gjatë dy muajve karantinë, Edi Rama ka tashmë gati strategjinë për të mos e dorëzuar pushtetin. Kushdo që e ka mbështetur, e ka inkurajuar, i ka ofruar ndihmë apo e ka mbrojtur nga kritikat, i ka dhënë një dorë ndihme të vyer në fazën më kritike të këtij modeli: fazën eksperimentale.
Me heshtjen, miratimin apo përkrahjen e shumëkujt që duhet të ishte e pakta dyshues ndaj protagonizmit global të Ramës në implementimin e masave drakoniane, ai ka fituar legjitimitetin e nevojshëm që sa herë të jetë ngushtë, sa herë t’i rrezikohet pushteti, ai të shtojë një vijë ngjitëse në kurbën e pasosur të pandemisë në Shqipëri.
Është pikërisht kjo kurbë artificiale që, më shumë se dështimin për të luftuar sëmundjen, shpreh vullnetin e qëllimshëm të Edi Ramës që të krijojë një alibi me legjitimitet pseudoshkencor dhe pseudopolitik për të mbajtur vendin në një shtetrrethim pa mbarim.
Me kujdes të kuruar dhe me duartrokitja naive të një pjese të madhe të faktorëve shoqërorë, qeveria ka shpallur një plan në 4 faza për daljen nga karantina. Pasi ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në mënyrë antikushtetuese, – sepse kushtetuta lejon zgjatjen me vetëm një muaj, jo dy muaj siç ka bërë Kuvendi në Shqipëri – regjimi ka nisur fazën e parë të heqjes së masave të karantinimit me paralajmërimin se ato mund të rikthehen nëse situata përkeqësohet. Me përkeqësim të situatës, regjimi nënkupton rritjen e numrit të të infektuarve të zbuluar përmes procesit regjisorial të testimit sipas nevojave të propagandës.
Pra, asi nën mëngë i regjimit është pikërisht legjitimimi që mori nga një numër faktorësh shoqërorë për të pezulluar liritë dhe të drejtat njerëzore, veprimtaritë ekonomike dhe shoqërore, kulturore dhe fetare “për të na mbrojtur dhe shpëtuar nga armiku i padukshëm”. Tani që ky i ashtuquajtur armik i erdhi si nga qielli, pushteti e ka në dorë sekretin e jetëgjatësisë së tij. Po si lidhet gjendja e jashtëzakonshme me jetëgjatësinë e këtij regjimi?
Së pari, shqetësimin se kjo situatë paniku dhe frike mund t’u japë dorë të epërme regjimeve autoritare e kanë shprehur vazhdimisht gjatë këtyre javëve të gjitha forumet dhe institutet e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave njerëzore në botë.
Së dyti, regjimi në Shqipëri nuk ka pritur të vijë kjo situatë që të asgjësojë të gjitha institucionet e pavarura për të shtënë në dorë të gjitha pushtetet. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshmë deri vonë, dhe vetë Kuvendi nuk ekzistojnë tashmë. Qeverisja lokale është njëqind për qind në dorë të partisë në pushtet edhe në saje të legjitimimit që u dha komuniteti ndërkombëtar votimeve moniste. Ende pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme, Shqipëria njihte vetëm një pushtet: atë të Edi Ramës dhe mafiokracisë së tij.
Së treti, gjendja e jashtëzakonshme e shpallur nga regjimi, që edhe në jashtëzakonshmërinë e saj është e pazakonshme, suprimon aq shumë të drejta dhe liri, saqë e bën pothuajse të pamundur ndryshimin e pushtetit.
Një vend ku nuk mund të lëvizësh dhe grumbullohesh lirisht, nuk lejon as kushtet minimale për fushatë elektorale. Imagjinoni një fushatë zgjedhore gjatë të cilës opozita mund të komunikojë me njerëzit vetëm përmes Facebook-ut. Ndërkohë, Edi Rama ka nisur dhe zhvillon me sukses tashmë një fushatë zgjedhore agresive, duke shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme për të bllokuar lëvizjen fizike të politikanëve të opozitës. Një fushatë komunikimi me publikun e nisur nga kreu i opozitës Lulzim Basha u ndërpre pikërisht për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.
Një tjetër mundësi e artë që i jepet regjimit në një gjendje të jashtëzakonshme është rritja e numrit të njerëzve që varen nga mbështetja ekonomike e qeverisë. Varfërimi kronik i shtresave të cenueshme ekonomikisht, si të vetëpunësuarit apo të punësuarit në fasoneri dhe call centers i bën ata të varur nga programet sociale të qeverisë. Të gjithë e dimë se shpërndarja e ndihmave financiare dhe ushqimore do të shndërrohet në një pazar të ulët të shit-blerjes së votës. Kësaj here votat do të blihen pa qenë nevoja që mafia dhe politikanët e korruptuar të fusin dorën në xhep. Mjaftojnë pesë lekë nga buxheti.
Mundësia e tretë, por jo më e vogla, është aftësia që fiton regjimi në këtë situatë të jashtëzakonshme për të shuar çfarëdo zëri apo nisme kritike të mbështetur nga sipërmarrja autoktone shqiptare. Pasi ka lëshuar mbi kurrizin e biznesit të gjithë barrën ekonomike të pagesës së punëtorëve dhe kostove të tjera administrative gjatë periudhës së ndalimit të aktivitetit ekonomik, dhe pasi u ka treguar atyre derën e bankës për të marrë kredi tregtare, dmth me interesa të larta, për të mbuluar kostot e mësipërme, qeveria ka bërë gati edhe skemën e menaxhimit të falimentit. Me anë të një marrëveshjeje me Ministrinë e Ekonomisë, bizneset që duan të përfitojnë nga fondi i garancisë sovrane pranojnë konfiskimin e aksioneve dhe aseteve në rast dështimi për të ripaguar kreditë. Kështu, Edi Rama dhe regjimi i tij kanë asgjësuar edhe një pol kritik të rëndësishëm për ekzistencën e opozicionit në Shqipëri.
Në shtator, ka paralajmëruar ministrja e Shëndetësisë, virusi mund të rikthehet dhe masat drakoniane doemos që do të rikthehen. Dhe, sipas të njëjtit model, ato mund të zgjaten deri në përfundim të zgjedhjeve. Në këto kushte është optimizëm naiv të besohet se regjimi do të lejojë ndërrimin e pushtetit.
Nëse gjithçka duket se është kurdisur që sot, është urgjencë e rëndësisë së parë që opozita të prodhojë një strategji për t’iu kundërvënë strategjisë së regjimit për të mos lejuar zgjedhje të lira. Lulzim Basha nuk duhet të mjaftohet me denoncimin dhe kritikën e mënyrës skandaloze të menaxhimit të situatës nga regjimi. Pamundësimi i zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dëm shumë më i madh se kostot e shkaktuara nga keqmenaxhimi i emergjencës shëndetësore. Madje, duke parë se keqmenaxhimi nuk është një dështim por, përkundrazi, një plan i qëllimshëm, kritika e keqmenaxhimit pa kuptuar apo shpjeguar pasojat e tij mbi vetë fatin e demokracisë në Shqipëri është e mangët.
Shtylla e pare e kësaj strategjie të opozitës duhet të jetë ligjërimi i lirisë dhe demokracisë. Qëndrimet e opozitës duhet të transferohen gradualisht nga kritikat për keqmenaxhimin e emergjencës drejt thirrjeve për të mbrojtur liritë njerëzore dhe shpëtuar ekonominë. Kufizimi i orareve të lëvizjes së njerëzve duhet të marrë fund, sepse është njësoj i palogjikshëm sa kufizimi në një orë dhe një person për familje i daljeve gjatë javëve të para të karantinës.
Ndërsa shtylla tjetër duhet të jetë ajo e veprimit në terren. Partia Demokratike duhet të mos i respektojë masat antikushtetuese të regjimit. Zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme në thyerje të kushtetutës duhet të marrë si përgjigje protestat dhe aktivitetet politike të opozitës. Nismat qytetare kundër kufizmeve anti-kushtetuese duhen mbështetur. Fati i demokracisë në Shqipëri, ashtu si dinjiteti për gjermanët sipas ministri gjerman të financave Schauble, është më i rëndësishëm edhe se jeta jonë.
Strategjia e Ramës për të mbajtur pushtetin duhet rrëzuar duke asgjësuar pikërisht modelin në qendër të saj: karantinimin e mbështetur mbi të dhëna tërësisht të falsifikuara dhe të paverifikueshme nga asnjë institucion apo forum i pavarur. Kurba që regjimi pikturon sipas nevojave të tij për pushtet nuk duhet lejuar të mbajë Shqipërinë në lakun e totalitarizmit. Dhe opozita ka detyrimin dhe mundësinë ekskluzive për ta shpëtuar Shqipërinë nga ky lak.