Partia Demokratike, LSI dhe opozita e bashkuar nuk e njeh Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, për sa kohë në të ka individë që duhet të ishin dënuar për krime elektorale.
Ky është qëndrimi zyrtar i opozitës bërë i publik sot nga përfaqësuesi Ivi Kaso gjatë tryesës së bisedimeve organizuar nga OSBE dhe komisioni parlamentar:
“Opozita e bashkuar mbështet një reformë të vërtetë zgjedhore.
Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore.
Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.”
Duke iu drejtuar ish-ministrit Damian Gjiknuri, kryetari i komisionit parlamentar për reformën, Zoti Kaso tha se ‘personat që janë subjekt i dosjes 339 dhe 184 janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore që ka nevojë vendi’, ndaj nuk mund të jenë pjesë e bisedimeve.
Opozita propozoi që draft reforma të hartohet nga një grup i posaçëm që përfaqëson drejt qytetarët shqiptarë dhe që ka në përbërje dhe përfaqsues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë:
“Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar.
Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.”
Pas prezantimit të qëndritmit zyrtar të opozitës, përfaqësuesi Ivi Kaso u largua nga salla.