Partia Demokratike dhe aleatët e saj i kërkuan sot Komisionit Qendror Zgjedhor të gjithë dokumentacionin lidhur me kutitë e votimit të zgjedhjeve të 30 qershorit.
Kërkesa e opozitës është bazuar në dyshimet për manipulim gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave që erdhën si nga pamundësia e opozitës për t’u përfaqësuar në administratë zgjedhore, ashtu dhe nga prova të shumta gjatë mbikëqyrjes së votimeve dhe procesit të numërimit.
Kërkesa është bërë në emër të tetë kryetarëve të partive në koalicionin opozitar. Një kopje e saj i është dërguar dhe shefes së misionit të vëzhgimit të ODIHR-it në Tiranë, Audrey Glover.
Më konkretisht opozita kërkon nga KQZ dokumentacioni dhe materialet zgjedhore si më poshtë:
- Kopje të printuara të listave zgjedhore për çdo qendër votimi;
- Kopje e vërtetuar e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore nga KQZ-ja;
- Kopje të vërtetuara të tabelave përmbledhëse të rezultateve zgjedhore për çdo njësi të qeverisjes vendore nga KZAZ-ja;
- Kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi nga grupet e numërimit;
- Kopje të vërtetuara të procesverbaleve tip për mbylljen e votimit për qendër votimi;
- Kopje të vërtetuara të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ-ja dhe KZAZ-të përkatëse, duke specifikuar për secilin administratën zgjedhore në të cilën ai bën pjesë, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe grup numërimi;
- Kopje të regjistrimit të kamerave të të gjitha tavolinave të numërimit në çdo grup të numërimit të votave;
- Kopje të regjistrimit të kamerave të ambienteve të brendshme të KZAZ-ve.
Sipas ligjit, KQZ ka 10 ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesës së opozitës.