Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot në mbrëmje se dorëheqja e Kryeministrit Rama mbetet kërkesa e panegociueshme e opozitës për daljen e vendit nga kriza, pavarësisht shtyrjes së zgjedhjeve lokale nga Presidenti Meta.
Dhjetëra mijëra qytetarë morën pjesë në protestën e tetë kombëtare të thirrur nga opozita ditën e shtunë. Protesta e radhës organizohej pak ditë pas publikimit të audio-përgjimeve Dako-Avdylaj nga gazeta gjermane BILD. Pak para nisjes së protestës, Presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve vendore, 30 qershor 2019.
Në fjalën e tij, Basha përsëriti se nuk do të ketë zgjedhje pa largimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Ai u përqendrua te bashkëpunimi i qeverisë me krimin, siç u tregua në përgjimet Dako-Avdylaj.
Basha përmendi disa grupe kriminale – Avdylaj, Bajraj, Shullazi – për të cilat u shpreh se mbështeten nga Partia Socialiste dhe qeveria aktuale. Ai shtoi se opozita nuk mund të hyjë në zgjedhje përballë këtyre grupeve kriminale.
Basha e quajti Ramën “kryeministër të Avdylajve”, “njeriun që ia dhuroi shtetin kriminelëve” dhe “kokë të bandave kriminale”. Ai theksoi se opozita do të vazhdojë të kërkojë largimin e tij si mënyrën e vetme për të larguar edhe krimin.
E gjithë Europa është shokuar nga përgjimet e publikuar nga BILD. Ato tregojnë se Rama është kryeministër ilegjitim, se qeveria e tij është qeveri ilegjitime. Pushtetin nuk e mori me vota, e mori me krimin, kriminelët dhe bandat, e gjithë bota e di që sot sundon një qeveri e zgjedhur nga mafia dhe jo populli.
Basha u shpreh se më herët Rama e ktheu vendin në një plantacion kanabisi, ndërsa tani në një qendër të kokainës dhe heroinës. Ai shtoi se kryeministri ka futur kriminelë në parlament dhe zyrat e qeverisë.
Kryetari i PD-së foli edhe për polikën ekonomike të qeverisë. Ai pohoi se Rama “i fali pasuritë te një grusht oligarkësh” dhe e akuzoi qeverinë për korrupsion.
Basha u bëri thirrje protestuesve për t’u përmbajtur nga dhuna, pasi, sipas tij, “vetëm një njeri lutet për dhunë; ai është Edi Rama.” Ai kërkoi të mos sulmohet policia, të protestohet paqësisht, pasi “çdo lëshim përballë provokimeve për dhunë nga policia shkon në favor të qeverisë Rama”.
Mos ndërmerrni asnjë vendim që dëmton protestuesit apo vëllezërit tanë me uniformë, zemërimi juaj është i ligjshëm, por ka vetëm një njeri që do dhunë dhe lutet për dhunë, dhe ky është Edi Rama dhe banda e tij.
Pas fjalimit të Bashës, protestuesit ecën drejt godinës së Parlamentit, ku hodhën fishekzjarre dhe kapsolla. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Në përmbyllje të protestës, Lulzim Basha u shpreh se përpjekjet e opozitës për vlerat e demokracisë perëndimore po arrinin suksesin, falë forcës së qytetarëve protestues.
Nga selia e PD-së, ku u mbyll edhe protesta, Basha deklaroi opozita nuk do të tërhiqet dhe i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen.
Vëllezër dhe motra, anulimi i procesit kriminal të 30 qershorit nuk është fundi i betejës tonë. Ai është vetëm një rezultat i qëndresës së një populli të bashkuar, për një Shqipëri si gjithë Evropa.
Pas rreth 3 orësh, protestuesit u shpërndanë paqësisht.