Opozita kërkon pezullimin nga vetingu për gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor

Nga Exit News
Opozita kërkon pezullimin nga vetingu për gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor

Opozita i ka propozuar Këshillit Politik të reformës zgjedhore, që gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të mos i nënshtrohen vetingut për 4 vite. Po ashtu, ata propozojnë që vetingu të ndalet dhe për ata gjyqtarë që marrin pjesë në short për të qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor, për të cilët ka filluar procesi i vetingut.

Sipas opozitës, ky propozim do të bëjë të pavarur Kolegjin Zgjedhor nga presioni i qeverisë përmes vetingut.

Opozita thotë se ky është një nga rekomandimet kryesore të ODIHR-it për të nxjerrë procesin zgjedhor nga presioni i vetingut.

Grupi politik i reformës zgjedhore, i përbërë nga dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, si dhe nga përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, do të takohen sot për të diskutuar ankimimet.

ODIHR thotë se Kolegji Zgjedhor ishte nën presionin e vetingut dhe për këtë shkak nga 8 anëtarë, ai mori vendime me 6 anëtarë. Prishja e këtij mekanizmi ndikon negativisht për një proces të lirë dhe demokratik.

Gjithashtu, ODIHR vë në dukje se, për shkak të vetingut, edhe Gjykata Kushtetuese nuk ishte funksionale dhe nuk mundi të shqyrtojë çështje të karakterit kushtetues në raport me zgjedhjet.

Për këto arsye, ODIHR bëri rekomandimin prioritar, i cili kërkon që reforma zgjedhore të garantojë një gjykatë funksionale dhe të pavarur në procesin zgjedhor.

Aktualisht është e pamundur që trupa gjyqësore për zgjedhjet të jetë e pandikuar dhe jashtë presionit të vetingut, siç kërkon ODIHR, pasi procesi nuk ka një radhë të fiksuar se kush gjyqtar kalon më veting, duke bërë që të gjithë të jenë të ekspozuar ndaj vendimit të papritur të Komisionit të Vetingut, ndërkohë që gjyqtari mund të jetë duke marrë një vendim të rëndësishëm për zgjedhjet.

PD dhe opozita propozojnë që vetingu për këta gjyqtarë të nisë me mbarimin e mandatit 4 vjeçar në gjykatën e zgjedhjeve.

Gjithashtu, PD propozon që Kolegji Zgjedhor të formohet edhe me gjyqtarë të shkallës së parë, si dhe gjyqtarët e Kolegjit duhet të kenë të paktën 7 vjet eksperiencë pune.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>