Opozita: Komisioni i Venecias rrëzon përpjekjen e qeverisë për të shkarkuar Presidentin

Opozita: Komisioni i Venecias rrëzon përpjekjen e qeverisë për të shkarkuar Presidentin

Opozita e sheh opinionin e Komisionit të Venecias (KV) si një përgjigjie të ashpër ndaj përpjekjes së Kryeministrit Edi Rama “për të uzurpuar Presidencën” edhe pse Presidenti Ilir Meta “nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës”.

Në një komunikatë të shpërndarë për mediat nga Partia Demokratike, opozita e ka mirëpritur opinionin përfundimtar të KV rreth kushtetueshmërisë së aktit të Presidentit për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit:

“Komisioni i Venecias pohon se qeveria e Edi Ramës nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi”.

Në deklaratën e opozitës thuhet se zgjedhjet e 30 qershorit “janë antikushtetuese pasi u mbajtën pa dekret të Presidentit”. Sipas demokratëve KV “konfirmoi se Kryeministri po tenton të kapë politikisht të gjitha institucionet, nga Parlamenti, prokuroria, gjykatat, ekonomia, pushteti local, tashmë edhe Presidentin”.

Pas këtij qëndrimi të KV mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë Komisioni Parlamentar i ngritur për këtë çështje. Komisioni në fakt shtyu afatin e punimeve deri në fund të këtij muaji për të patur edhe opinionin e KV, opinion që socialistët shpresonin që do t’i jepte më shumë argumenta pretendimeve të tyre.

Sipas demokratëve Komisioni Parlamentar tashmë është “propaganda e vetme e mbetur e Kryeministrit për shkarkimin e Presidentit”.

 

Lajme te ngjashme