Opozita kritika qeverisë Hoti: Spitalet buzë kolapsit, qytetarët nuk paguajnë dot trajtimin

Nga Exit News
Opozita kritika qeverisë Hoti: Spitalet buzë kolapsit, qytetarët nuk paguajnë dot trajtimin

Partitë opozitare në Kosovë kanë kritikuar, të hënën, qeverinë për menaxhimin e pandemisë, duke u shprehur se spitalet janë në kolaps.

Gjatë seancës plenare, Bekim Haxhiu deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se kryeministri Avdullah Hoti duhet të vizitojë Qendrën Klinike Universitare dhe spitalet ku marrin mjekim pacientët.

Sipas Haxhiut, situata në spitale është alarmante. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se Klinika e Pulmologjisë ka mungesë furinizimi për bombola oksigjeni.

Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, deputete e Vetëvendosjes, u shpreh se fokusi i qeverisë duhet të jetë trajtimi i të infektuarve me Covid-19. Ajo deklaroi se për shkak të shpenzimeve, qytetarët nuk po mund të trajtohet si duhet.

Deputetja e LVV u shpreh se paratë e qeverisë shkojnë tek privati. Po ashtu i bëri thirrje qeverisë që të ndihmojë shtresat në nevojë.

“Në QKMF (Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare) nuk jepet asgjë nga terapia, ndërsa milionat po shkojnë sektori privat. Nuk kam asgjë kundër, por shkoni shikoni, bëni një analizë sa shpenzime bëhen në baza ditore nga xhepi i varfër i qytetarëve. Mbulojeni së paku kategoritë në nevojë”, tha ajo.

Kryeministri  Avdullah Hoti, iu kundërpërgjigj kritikave të opozitës, duke u shprehur se Kosova nuk është në kolaps. Hoti deklaroi se furnizimi me barna është përmirësuar.

Sipas Hotit, klinikat janë riorganizuar për të përballuar valën e dytë të virusi.

“Kemi ndërmarrë masat e nevojshme sikurse çdo vend në rajon edhe në BE. E kemi përmirësuar furnizimin me barna, është dukshëm më i mirë tani kur po flasim, por kam parasysh se plotë familje shpenzojnë edhe nga xhepi i tyre”, tha Hoti.

Kryeminstri deklaroi se qeveria po punon për sigurimin e vaksinës kundër Covid-19.

Armend Zemaj, ministri i Shëndetësisë deklaroi se gjendja është e rënduar sepse është rritur shpërndarja e infeksionit në rajon dhe në Europë.

“Por, ajo ç’ka mundem t’ju garantoj është kjo: asnjë pacient në Republikën e Kosovës nuk ka mungesë të trajtimit, qoftë spitalor, qoftë klinik apo edhe dhënies apo marrjes së shërbimeve”, tha Zemaj.

Zemaj deklaroi se Kosova është vendi me vdekshmërinë më të ulët në rajon dhe në botë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>