Grupi Parlamentar ‘Demokrat’, opozita në parlament, ka dorëzuar sot në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore katër propozimet e saj për ndryshimet në sistemin zgjedhor.
Për tre prej katër propozimeve nevojiten ndryshime në Kushtetutë, ndërsa vetëm një prej tyre, propozimi për sistem proporcional rajonal më 12 njësi zgjedhore, mund të bëhet dhe pa ndryshime kushtetuese.
Bie në sy se të gjitha propozimet propozojnë listat e hapura ku votuesit mund ta zgjedhin vetë deputetin që i përfaqëson në kuvend.
Aktualisht sistemi zgjedhor në Shqipëri është proporcional rajonal me lista të mbyllyra të hartuara nga kryetarët e partive.
Në propozimin e tretë, që nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese, opozita parlamentar propozon sistemi proporcional rajonal, me 12 njësi zgjedhore,ngjashëm me sistemin actual, por njësitë të grupuara në 4 rajone zgjedhore dhe listat për deputetë të jenë të hapura, për t’i dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin.
Exit News sjell në mënyrë të përmbledhur 4 propozimet e opozitës në parlament:
Sistemi proporcional kombëtar – do të thotë që i gjithë vendi është një zonë zgjedhore.
Përqindja e votës kombëtare për një parti përkthehet në përqindje të njejtë mandatesh në parlament. Listat e deputetëve do të jetë e hapur dhe çdo votues mund të zgjedhë deri në 5 deputetë.
Ky propozim ka ardhur nga Nisma Thurje dhe është dërguar në parlament nga deputeti Ralf Gjoni.
Sistemi proporcional rajonal, i korrektuar me listë kombëtare – sipas të cilit 100 deputetë do të zgjidhen në 12 njësi zgjedhore sipas 12 qarqeve. Listat për deputetë do të jenë të hapura.
Ndërsa 40 deputetë të tjerë do të zgjidhen lista korrektuese kombëtare.
Nga lista korrektuese kombëtare do të përfitojnë vetëm ato parti politike të cilat, në rang vendi, marrin jo më pak se 2.5% të të gjithë votave të vlefshme.
10 vende nga lista korrektuese do të ndahen mes dy partive që dalin të parat në rang vendi, ndërsa 30 vendet e tjera do të ndahen midis partive të tjera që kalojnë pragun 2.5% në rang vendi.
Sistemi proporcional rajonal, me 12 njësi zgjedhore, të grupuara në 4 rajone zgjedhore – sipas së cilit vendi ndahet në 4 rajone:
- Rajoni Verior: Njësitë Zgjedhore – Kukës, Shkodër, Lezhë, Dibër; – do të ketë 27 deputetë;
- Rajoni Tiranë: Njësia Zgjedhore – Tiranë; – do të ketë 34 deputetë;
- Rajoni Qendror: Njësitë Zgjedhore – Durrës, Elbasan, Korçë, Berat; – do të ketë 39 deputetë;
- Rajoni Jugor: Njësitë Zgjedhore – Fier, Vlorë, Gjirokastër; – do të ketë 40 deputetë.
Listat e deputetëve do të jenë të hapura dhe secili votues zgjedh jo më shumë se 5 kandidatë.
Sistemi mazhoritar, i korrektuar me listë proporcionale kombëtare – sipas së cilit 100 deputetë nga 140 në total zgjidhen në zona njëemërore, në zgjedhje me një raund ku kandidatët nga çdo parti janë përballë njëri-tjeterit për një zonë zgjedhore.
Ndërsa 40 deputetët e tjerë zgjidhen në bazë të votave të fituara nga subjektet në rang vendi. Nga kjo listë përfitojnë ato parti që kalojnë pragun prej 2,5 për qind të votave në rang vendi.
10 mandate nga lista proporcionale ndahen midis dy partive që fitojnë më shumë vota në rang kombëtar, ndërsa 30 të tjerat mes partive që kalojnë pragun.
Ky sistem miks mes maxhoritarit dhe proporcionalit është i ngjashëm me atë që Shqipëria zbatoi në vitin 2005.
Sipas kalendarit të Këshillit Politik, këto propozime pritet të diskutohen më 10 mars.