Mbështetës të opozitës janë duke protestuar përballë parlamentit, ndërkohë që deputetët e maxhorancës janë duke zhvilluar një seancë parlamentare të vendosur gjatë orëve të fundit.
Më herët, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi mblodhi papritur Konferencën e Kryetarëve sot. Ky organ vendos axhendën e kuvendit. Konferenca e Kryetarëve përbëhet nga kryetarët e grupeve dhe të komisioneve parlamentare. Përmes kësaj mbledhjeje dhe vetëm me praninë e anëtarëve të maxhorancës socialiste, Ruçi vendosi zhvillimin e një seance parlamentare sot në orën pesë pasdite.
Seanca e papritur duket se bëhet për të zëvendësuar seancën e së enjtes së shkuar, të cilën Ruçi e anuloi me arsyetimin se protestuesit e opozitës pritej të ushtronin dhunë. Protesta ishte e qetë.
Opozita e quajti mbledhjen e thirrur nga Ruçi sot “mbledhje në ilegalitet” dhe thirri qytetarët në protest dy orë përpara seancës parlamentare. Disa mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes dhe u mblodhën tek parlamenti.
Sipas faqes së Kuvendit, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve zhvillohet, si rregull, 48 orë pasi lajmërohen anëtarët. Duket qartë që ky rast ka qenë një përjashtim nga rregulli, për arsye që Kryetari Ruçi nuk i ka bërë të ditura.
Forca të policies gjenden përpara dhe rreth parlamentit, ndërkohë që brenda tij deputetët e Partisë Socialiste janë duke zhvilluar seancën si zakonisht. Protestuesit kanë ndezur një gomë makine, kanë hedhur kapsolla dhe sende të tjera drejt hyrjes së parlamentit. Duket se gjatë protestës ka pasur incidente të vogla mes protestuesve dhe policisë.
Deputetë të opozitës dhe qytetarë po mbajnë fjalë të shkurtra përpara protestuesve, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit pas disa përplasjesh me policinë. Policia ka sjellë autobote me ujë, në gatishmëri për t’i përdorur ndaj protestuesve, dhe dritat e rrugëve janë fikur. Janë shtuar forcat e policisë dhe të policisë speciale. Nuk është e qartë se pse përshkallëzoi situata deri tek gazi lotsjellës.
Protestuesit janë kthyer sërish pas gazit lotsjellës dhe janë ulur në rrugë përpara parlamentit. Ata pretendojnë se janë provokuar nga policia.