Opozita konfirmoi sot sërisht mosregjistrimin në KQZ deri në krijimin e qeverisë teknike që do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme.
“Koalicioni opozitar i mbledhur sot, konfirmon qëndrimin për mosregjistrim në KQZ deri në arritjen e një pakti politik për krijimin e qeverisë teknike që do sigurojë zgjedhje të lira. Koalicioni opozitar vendosi mbajtjen e një proteste të madhe kombëtare më 7 maj në Kavajë” — shkruhet në njoftimin e Partisë Demokratike.
Sot skadon afati ligjor i përcaktuar në Kodin Zgjedhor për regjistrimn e partive politike. Deri më tani janë regjistruar 29 parti dhe sot do të regjistrohen edhe tre parti të tjera.
Kryeministri Rama e ka thënë shpesh herë se qeveri teknike nuk ka dhe ai është i gatshëm të hyjë në zgjedhje edhe vetëm. Në rast se kushti i opozitës për qeveri teknike nuk plotësohet, bazuar në zhvillimet e fundit, në zgjedhje do të marri pjesë vetëm PS dhe disa parti të vogla të cilat nuk kanë përfaqësi aktualisht në parlament.
Kjo do të përkeqësonte krizën politike duke e sjellë Shqipërinë mbrapa në kohë në vitin 1996.