Tre përfaqësuesit e opozitës parlamentare këmbëngulin të mos votojnë Reformën Zgjedhore nëse nuk merren parasysh 3 kërkesat e tyre:
– listat e hapura të kandidatëve për deputetë;
– komisione apolitike për administrimin e zgjedhjeve;
– sigurimi i votës së emigrantëve.
Pas takimit me kreu e kuvendit Ruçi, tre kryetarët e grupeve parlamentare, Murrizi, Stojku dhe Musaj thanë se do të bojkotojnë punimet e komisioneve parlamentare nëse shumica socialiste nuk pranon kushtet e tyre.
Ata thanë se 31 deputetët e tre grupeve opozitare janë në një mendje për të mos votuar një ‘reformë të arnuar zgjedhore’.
Murrizi është anëtar i grupit Demokrat, i cili ka 11 anëtarë, mes të cilëve dhe Rudina Hajdarin, pjesë e Këshillit Politik.
Grupi tjetër ‘I pavarur’ ka 9 anëtarë dhe kryesohet nga Nimet Musaj, ndërsa grupi ‘Demokraci dhe drejtësi’ ka 11 deputetë kryesohet nga deputeti Edmond Stojku.
Nuk dihet ende nëse tre kryetarët përfaqësojnë mendimin e të gjithë deputetëve në grupet e tyre.
Për votimin e reformës në Kuvend nevojiten 84 vota, ndërsa shumica socialiste ka 75 vota.