Partia Demokratike dhe opozita ka pranuar të ulet sot në tavolinë bisedimesh për reformën zgjedhore me Damian Gjiknurin, të akuzuar si autor i vjedhjes së zgjedhjeve lokale në Dibër në vitin 2016 dhe një nga shenjestrat kryesore të përpjekjeve të opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Damian Gjiknuri i PS-së, Oerd Bylykbashi i PD-së, Petrit Vasili i LSI-së dhe Rudina Hajdari e pavarur u takuan sot për të arritur një marrëveshje qeveri, opozitë parlamentare dhe jo parlamentare për reformën zgjedhore.
Është një kthim 180 gradë i Partisë Demorkatike dhe opozitës. Nxjerrja para drejtësisë e Damian Gjiknurit ka qenë një nga kërkesat kryesore me të cilën Partia Demokratike organizoi protestat për rrëzimin e qeverisë Rama gjatë vitit të shkuar.
Për më tepër, largimi i Damian Gjiknurit nga drejtimi i reformës zgjedhore, si dhe nxjerrja e tij para drejtësisë ka qenë një nga kushtet që PD paraqiti në muajin tetor si kusht për pjesëmarrjen e saj në reformën Zgjedhore.
Në tetor 2019, Partia Demokratike prezantoi programin me pesë pika për zgjidhjen e krizës politike. Platforma kishte në thelb reformën zgjedhore.
Një ndër pikat e saj kërkonte largimin e Damian Gjiknurit madje edhe të Rudina Hajdarit nga Komisioni i Reformës Zgjedhore:
“Asnjë komision parlamentar, i drejtuar nga individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare” — thuhet në platformën e opozitës.
Gjithashtu, pjesë e platformës së opozitës ishte:
“Drejtimi i bisedimeve strukturë e përbërë nga organizma ndërkombëtarë (OSBE, BE, SHBA) etj, një përfaqësues i parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i opozitës së bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet diskutimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e vendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime”.
Vetë kryetari i PD-së ka kërkuar vazhdimisht futjen në burg të Damian Gjiknurit. Basha më 7 maj 2019, me rastin e 200 anëtarësimeve të reja në Shkodër tha se:
“Përdhunuesi serial i zgjedhjeve, nuk mund të jëtë kujdestar i zgjedhjeve. Për këtë duhet një reformë e vërtetë zgjedhore për të cilën pyeten qytetarët. Kam një mesazh për ata që janë ulur bashkë me Damian Gjinkurin, që duhet të ishte në burg për vjedhje votash, të ulur bashkë me ata që janë kapur në përgjime duke blerë e shitur vota, duke kërcënar demokratët: Zonja dhe zoterinj, ai nuk është komisioni i reformës zgjedhore. Ai është, në pjesën më të madhe, komisioni i paraburgimit të Damian Gjiknurit me shokë. Asnjë produkt i tyre nuk përbën gjë tjetër veçse një turp. Nuk e njohim, nuk do ta njohim, mos harxhoni kohën kot.”