Opozitës i duhet akti i madh i transformimit të brendshëm

Nga Vehap Kola
Opozitës i duhet akti i madh i transformimit të brendshëm

Një nga tezat më kryesore të propagandës së regjimit në Tiranë është se opozitës i mungon tërësisht veprimi politik. Për ta përforcuar këtë mesazh propagandistik, mediat e regjimit e portretizojnë opozitën sikur bën vetëm konferenca për shtyp, ku denoncon ca raste korrupsioni të qeverisë.

Nismat e suksesshme si ajo e ligjit për dekriminalizimin, kontributi i opozitës në ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi 2016, nisma për vetingun e politikanëve, e refuzuar nga pushteti, lihen në hije kur gjykohet veprimtaria e opozitës në komunikimin publik. Është e vërtetë se propaganda nuk është arma më e fortë e opozitës.

Në realitetin mediatik të krijuar nga strategjia e komunikimit e qeverisë, opozita shfaqet ngurruese dhe e kompleksuar për të folur të vërtetat dhe për të bërë lëvizjet e mëdha, që do ta bënin atë të denjë për të kërkuar mandatin për qeverisjen e Shqipërisë.

Synimi i propagandës së regjimit është i qartë: i gjendur pa një rrugë të dytë, qytetari shqiptar do të detyrohet të bëjë një sy qorr dhe një vesh shurdh dhe do të bashkëpunojë me pushtetin e do t’i nënshtrohet atij.

Dorëzimi i mandateve nga opozita është, për shembull, një akt i madh politik dhe gjerësisht i simpatizuar nga kundërshtarët e regjimit të Ramës. Duke i shtuar kësaj lëvizjeje të fortë mospjesëmarrjen në zgjedhje, opozita arriti ta nxjerrë zbuluar shtetin monist të Ramës në sytë e qeverive perëndimore, të cilat deri në atë çast nuk ishin fort të shqetësuara për çfarë ndodhte në Shqipërinë e vogël dhe të sjellshme me ta.

Megjithatë, vetëm këto dy vendime të forta nuk mjaftojnë për ta shndërruar opozitën në Akilin homerik, bërësen e bëmave të mëdha dhe folësen e fjalëve të mëdha. Me bëma dhe fjalë të mëdha nuk nënkuptohet aspak ndonjë akt radikal për rrëzimin e pushtetit me dhunë apo ultimatume për qeverinë. As premtimi për një Shqipëri utopike nuk përfaqëson fjalë të mëdha.

Dhuna në vetvete është një akt pa jetë dhe nuk mund të imponojë madhështi. Aq më tepër që dhuna si akt i brendshëm politik nuk do të shoqërohej me ndonjë teknologji drithëruese, që e paralizon kundërshtarin dhe e detyron të dorëzohet nga admirimi apo tmerrimi. Një plan dhune ndaj regjimit mafiokratik të Ramës do t’i jepte këtij të fundit jo pak legjitimitet, që aq shumë i nevojitet.

Bëmat e mëdha dhe fjalët e mëdha janë pikërisht veprimet thelbësore për atë që një organizatë politike e ka të vështirë ta bëjë: transformimi i brendshëm.

Akti i parë i madh i opozitës së Lulzim Bashës duhet të ishte rinovimi i PD-së. Një opozitë e besueshme është e pamundur me opozitarë të pabesueshëm dhe të konsumuar. Shumë njerëz me pozita politike gjatë qeverisjeve të PD-së, për fatin e tyre të mirë apo të keq, mbartin një peshë përgjegjësie që opozitës nuk i duhet, pavarësisht ‘fjalëve të mëdha’ që mund të artikulojnë.

Një bëmë e madhe e opozitës së Lulzim Bashës do të ishte gjallërimi i jetës politike brenda Partisë Demokratike. Kjo do të bëhej me nxitjen e konkurrimit dhe fuqizimin e mekanizmit të zgjedhjeve për drejtuesit e çdo niveli dhe për kandidatët në zgjedhje. Basha ende nuk e ka realizuar angazhimin për një model zgjedhjesh brenda partisë, të bazuar në sistemin amerikan të zgjedhjeve primare.

Financimi i partisë është një tjetër plagë e madhe për çdo parti politike në Shqipëri. Partitë janë shndërruar në agjentë të interesave ekonomike të klubit oligarkik dhe familjeve mafioze. Nën drejtimin e Edi Ramës, Partia Socialiste i zhvilloi këto lidhje okulte me oligarkinë dhe mafian në një nivel të ri, duke themeluar një mafia-shtet pa dallime thelbësore me Venezuelën e Çavezit dhe Maduros.

Partia Demokratike duhet të bëjë një hap të madh distancimi nga financimi i saj nga oligarkët dhe burimet e dyshimta. Ajo është parti popullore dhe financimin duhet ta gjenerojë vetëm nga individë, familje dhe sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ky transformim mund të rrudhte financat e partisë më të madhe të opozitës, por do të zgjeronte mbështetjen për të.

Dorëzimi i mandateve të deputeteve dhe mospjesëmarrja në zgjedhje nuk e kanë bërë Partinë Demokratike të identifikohet me popullsinë e gjerë, sepse mes tyre lëshon hijen e dyshimit ura e financimit nga klubi oligarkik.

Rikthimi i zgjedhjeve në parti dhe mbështetja e financimit te kontributi i njerëzve të lirë dhe pa interesa të fshehta realizon njëkohësisht popullarizimin e Partisë Demokratike dhe pasurimin e saj me figura të reja me integritet dhe mbështetje.

Veç bëmave të mëdha, opozitës i nevojitet të shqiptojë edhe fjalët e mëdha: angazhimet e vështira për të çliruar Shqipërinë nga rrjeta e mafia-shtetit, që Edi Rama ka ngritur në bashkëpunim me oligarkinë dhe krimin e organizuar.

Fjala e parë e madhe që Lulzim Bashës i kërkohet të shqiptojë është një program për demokratizimin e jetës politike, për çlirimin e tregjeve nga monopolet dhe oligopolet e oligarkëve dhe familjeve mafioze, dhe për rikthimin e besimit të sipërmarrësve dhe investitorëve te potencialet ekonomike e sociale të Shqipërisë.

Nëse qeveria e Bashës, nesër, nuk do t’i qëndrojë besnike këtij angazhimi, ajo do të gjykohet pikërisht mbi këtë program. Ky do të jetë një hap përcaktues për demokratizimin dhe europianizimin e Shqipërisë.

Një tjetër fjalë e madhe që kërkohet nga Lulzim Basha është një kontratë publike me anëtarësinë dhe mbështetësit e opozitës për të mos kërkuar të punësohen në administratë mbi kritere të përkatësisë partiake. Padrejtësia dhe korrupsioni i kanë fillimet tek pritshmëria e militantëve për të përfituar pa meritë vende pune në sektorin publik.

Heqja dorë nga ky ves shkatërrues është një reformë e pashoqe morale dhe shtron themelet e institucioneve të qëndrueshme dhe demokratike. Angazhimi i vetë anëtarësisë për të mos kërkuar përfitime personale në kurriz të drejtësisë dhe meritokracisë duhet të jetë dëshmi e vizionit të elektoratit të djathtë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë për të jetuar fëmijët tanë.

Me këto bëma të mëdha dhe fjalë të mëdha, opozita në Shqipëri do të meritonte të ishte heroi, Akili homerik, bërëse e bëmave të mëdha dhe folëse e fjalëve të mëdha. Ajo nuk ka nevojë t’u drejtohet mjeteve të dhunës, sepse mjaftojnë veprat e mëdha të vetëtransformimit dhe fjalët e mëdha, që sipas vargut të fundit të Antigonës ‘u kundërvihen dhe shpaguajnë goditjet e rënda të arrogantit dhe na mësojnë të kuptuarit në moshë të thyer’.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>