Ora e provës: Lulzim Basha mes Amerikës dhe Berishës

Nga Exit News
Ora e provës: Lulzim Basha mes Amerikës dhe Berishës

Ambasadorja amerikane ka bërë të njohur publikisht të premten se qeveria amerikane kërkon që udhëheqja e PD-ë të largojë Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat dhe të distancohet prej tij.

Një burim diplomatik i ka pohuar Exit News se kjo kërkesë i është bërë kryetarit të PD-së para shumë javësh, menjëherë pasi Berishës iu ndalua hyrja në ShBA nga Sektetari amerikan i Shtetit. Nga atëhere, kërkesë i është përsëritur qartë Bashës në çdo takim me ambasadoren Kim.

Burimet diplomatike i kanë pohuar Exit se Basha u ka pranuar amerikanëve se e kupton se Berisha duhet të largohet, por duke shpjeguar vështirësinë që ka për të marrë këtë vendim, ai ka kërkuar kohë të gjejë një mënyrë të butë për ta arritur këtë gjë.

Por diplomatët amerikanë i kanë bërë të ditur Bashës se çështja nuk mund të zgjatet dhe nëse ai nuk do ta linte Berishën jashtë grupit demokrat parlamentar në shtator, qeveria amerikane do të fliste hapur kundër Bashës dhe udhëheqjes së PD-së.

Kështu, drama e PD-së ishte shtyrë për në fillim të shtatorit: ose PD do përjashtonte Berishën, ose SHBA do të “përjashtonte” PD-në.

Por duket se durimi i amerikanëve mori goditje nga Kuvendi i PD-së, gjatë se cilit ndodhën dy gjëra: Kuvendi jo vetëm nuk e preku, por as nuk tregoi vetëdije për ekzistencën e “çështjes Berisha”, ndërkohë që në Kuvend Berisha dhe Basha u takuan e folën përzëmërsisht e të qeshur me njëri-tjetrin.

Kjo ndodhi u interpretua nga diplomatët amerikanë si shenjë se Basha ishte tërhequr nga ideja e përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar.

Në këto kushte, ambasadorja amerikane duket se vendosi ta bëjë publike kërkesën e qeverisë amerikane për përjashtimin e Berishës.

Është e paqartë nëse e bëri për të shtuar trysnisë ndaj Bashës, apo sepse i ishte kërkuar nga Basha për t’i dhënë atij mundësinë që t’ja veshë çdo gjë presionit amerikan: ‘nuk kemi çfarë t’i bëjmë amerikanëve, e patë vetë që na kanë vënë një ultimatum që nuk mund ta injorojmë’.

Tani që kartat janë të gjitha mbi tavolinë, Lulzim Basha as nuk mund të bëjë gjysëm zgjedhje dhe as nuk mund ta vonojë zgjedhjen: në shtator ai do të zgjedhë mes SHBA-ve e komunitetit ndërkombëtar nga njëra anë dhe Berishës e mbështetësve të tij nga ana tjetër.

LEXO  Nga 1 janari 2021, bizneset e vogla nuk do paguajnë tatimin mbi fitimin dhe TVSH-në

Çfarëdo zgjedhje të bëjë Basha, ajo do të ndryshojë rrënjësisht PD-në.

Nëse do të zgjedhë Berishën, Basha dhe PD do të izolohen nga faktori ndërkombëtar, i cili do të vazhdojë të mbështesë Ramën përballë Bashës.

Fakti është se PD ka disa vjet që është thuajse e izoluar nga komuniteti ndërkombëtar—sa për shkak të vendimeve të saj ekstreme politike dhe futjes së vendit në disa kriza politike, aq edhe për shkak të paaftësisë të vazhdueshme të PD-së për të krijuar marrëdhënie bashkëpunimi dhe besimi me komunitetin ndërkombëtar.

Kjo alternativë mbart edhe rrezikun që komuniteti ndërkombëtar mund të mbështesë apo investohet në alternativa të reja politike për të rritur konkurencën dhe zbehur peshën e PD-së në elektorat.

Por nga ana tjetër, përjashtimi i Berishës do të jetë goditje e rëndë personale për Bashën brenda PD-së. Një pjesë e anëtarësisë dhe ndoshta edhe figura drejtuese do të dalin hapur ndaj veprimit të Bashës, duke rritur zhgënjimin ndaj Bashës brenda PD-së dhe gërryerbazën votuese të PD-së, veçanërisht në afat-shkurtër.

Kjo lloj çarje do të përforcohet edhe nga një fakt tjetër: Bashës do t’i duhet që për të përzënë Berishën të promovojë në poste drejtuese partiake personal, investim personal i Bashës në PD, të cilët janë të vetmit të gatshëm të mbrojnë në publik përzënien e Berishës nga grupi parlamentar.

Por disa prej këtyre personave gëzojnë antipati në rradhët e demokratëve dhe promovimi i tyre do të krijojë pakënaqësi e çarje të reja brenda PD-së, çfarë do të gërryejë edhe më shumë bazën e votuesve të saj.

Është ironike që pasi Basha ja doli t’i bindë demokratët se, edhe pse humbi, ai nuk duhet të largohet se vetëm ai mund t’i çojë demokratët drejt fitores, tani duhet t’i bindë ata se vetëm largimi i Berishës i çon demokratët drejt fitores.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme