Orët e fundit të krizës politike

Nga Desada Metaj

Tërmeti i fortë që “shkundi” Shqipërinë pasditen e së shtunës mbetet dhe lajmi kryesor i ditës që pritej të sillte të reja për zgjidhjen e krizës politike. As deklaratat e Ramës në Shkodër, as ato të Bashës në çadrën e protestës nuk arritën t’i japin përgjigje pyetjes se nëse do të ketë zgjedhje në qershor apo jo. 48 orët e ardhshme janë dhe më deçizivet, pasi të hënën në mbrëmje skadon dhe afati përfundimtar që kodi zgjedhor përcakton për regjistrimin e subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e qershorit.

Përtej këtij afati asnjë parti nuk do të mund të jetë pjesë e proçesit elektoral që me gjasa do të jetë nga më të paparishikuarit ndonjëherë në Shqipëri. Kriza politike dhe kërkesa pa kushte e opozitës për të shkuar në zgjedhje me qeveri teknike nuk ka mundur të gjejë ende zgjidhje edhe pse tre ditët e fundit është folur për mundësinë e nje takimi mes palëve.

Përpjekjet e ethshme të palëve jashtë vëmendjes së publikut janë ende larg një formule të përbashkët ndërsa koha e mbetur në dispozicion premton pak apo shumë pak për të bërë të mundur zgjedhje me ose pa qeveri teknike.

I palëkundur në qëndrimin e tij mbetet dhe kryeministri Rama. Kreu i mazhorancës edhe pse shprehet i gatshëm për uljen në tryezën e bisedimeve nuk duket të tërhiqet nga qendrimi i tij për të shkuar në zgjedhje me çdo çmim, qoftë edhe pa PD-në dhe aleatët e saj. Qëndrimet e tij të ditëve dhe orëve te fundit “thumbojnë” dhe aleatin kryesor, LSI-në, kryetari i së cilës gjithashtu i qëndron fort idesë se pa opozitën nuk mund të ketë zgjedhje.

Në këtë situatë me limite kohore që qëndrojnë si çekan mbi kokë, retorikat për dialog nuk përcjellin më as shpresën se një zgjidhje e orëve të fundit mund të ndryshojë për mirë situatën.  I vetmi dialog politik që funksionoi sot ishte ai mes Lulzim Bashës dhe Koço Kokëdhimës, të dy me qëndrime të qarta kundër qëndrimeve politike te Edi Ramës.

Në çdo rast dy ditë mund të duken pak, por gjithsesi janë kohë e mjaftueshme për të gjetur një zgjidhje. Nëse Rama do të tërhiqet nga qëndrimi i tij atëherë krijimi i një qeverie teknike (apo besimi) do të thotë automatikisht shtyrje e datës së zgjedhjeve për një kohë tjetër. Ndërkohë që qëndrimi në pozicionin e Edi Ramës do të sillte zhvillimin e zgjedhjeve me opozitë në rastin më të mirë të papërfillshme dhe në rastin më të keq me opozitë të emëruar.

Në të gjitha variantet, mosgjetja e një gjuhe të përbashkët, jo vetëm mes dy partive më të mëdha por dhe të LSI-së si faktor që determinoi legjitimitetin e proçesit zgjedhor do ta çonte vendin në një situatë të papreçedent dhe disi të ngjashme me atë të Shqipërisë së pas zgjedhjeve të vitit ’96.

Orët e mbetura në dispozicion janë të mjaftueshme për të nxitur një takim apo tryezë ku palët të shqyrtojnë ofertat, të lëshojnë terren ndoshta nga qëndrimet e derimëtanishme dhe t’i japin drejtim një krize që po mban peng Shqipërinë dhe politikën për gati dy muaj.

Dy ditët e ardhshme por dhe javët në vazhdim do të venë në provë edhe njëherë klasën politike për mënyrën se si ajo menaxhon krizën e zgjedhjeve por edhe zgjedhjen e presidentit të ri. E bashkë me të, të ravijëzojnë dhe aleancat e reja apo të vjetra parazgjedhore, në funksion të të cilave duket të jenë edhe orët në vazhdim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>