Organizata “Reporterët pa Kufij” dënon kërcënimin me armë ndaj gazetarëve shqiptarë

Organizata “Reporterët pa Kufij” dënon kërcënimin me armë ndaj gazetarëve shqiptarë

Organizata e shoqërisë civile “Reporterët pa Kufij” (RSF) dënoi sulmin me armë ndaj dy gazetarëve shqiptarë, Julian Shota dhe Klodiana Lala. Në një deklaratë për shtyp, “Reporterët pa Kufij” shprehen se:

“U tronditëm kur mësuam se një gazetar u kërcënua me armë ditën e djeshme në një qytet në veri të Shqipërisë, katër ditë pas sulmit me armë kallashnikov në drejtim të shtëpisë së gazetares Klodiana Lala”

Pauline Ades Mevel, drejtuesja e Reporterëve pa Kufij për Ballkanin, u shpreh se:

Të qëllosh në shtëpinë e një gazetari me kallashnikov dhe të kërcënosh me armë një tjetër është praktik e papranueshmë që përdoret për të frikësuar dhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve të cilët guxojë të hetojnë ngjarje të dyshimta dhe krimin e organizuar, i cili mbizotëron në Shqipëri.

Ne i bëjmë thirrje autoriteteve të dënojnë çdo sulm dhe të mbrojnë gazetarët në mënyrë që ato të mund të kryejnë detyrën e tyre për raportimin e lajmit.

Më 3 shtator, Julian Shota, korespondenti i Report TV u kërcënua me armë në kokë dhe nuk u lejua të raportonte mbi shpërthimin e ndodhur në një bar-kafe në Laç, nga vetë pronari i lokalit. Policia ka shoqëruar në komisariat pronarin e lokalit por e ka lënë të lirë ditën e sotme. Sipas deklaratës së një gazetari për Reporterët pa Kufij,

“Laçi është një qytet i rrezikshëm me banda të fuqishme kriminale të cilat nuk janë në shënjestrën e policisë vendore.”

Më 30 gusht, u qëllua me armë kallashnikov në drejtim të shtëpisë së prindërve të gazetares investigative Klodiana Lala. Deri më tani nuk dihen se kush janë autorët e ngjarjes. Por në një postim në Facebook, gazetarja Lala u shpreh se sulmi është i lidhur me punën e saj si gazetare.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Kryetarja e Komisonit të Medias në Kuvend Albana Vokshi, e cila u shpreh se “liria e medias dhe jeta e gazetarëve në Shqipëri është çdo ditë e më shumë e kërcënuar”.

Deputetja Vokshi shtoi se sulmet e vazhdueshme të Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve ka bërë që gazetarët të shënjestrohen nga bandat kriminale.

Gjithashtu, Drejtuesi i Unioni të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa u shpreh se:

Solidarizohem me të dy gazetarët e kërcënuar së fundi dhe me të gjithë gazetarët që dhunohen apo kërcënohen për shkak të detyrës dhe misionit të tyre.

Zoti Cipa vuri në dukje se “në periudhën 2017-18 janë shtuar më tej gazetarët e kërcënuar në detyrë, që kërkuan azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, dhe shumë të tjerë kërkuar shtetësi në vende të tjera”.

Shqipëria renditet në vend të 76-të nga 108 vende të analizuara për lirinë e shtypit nga Reporter pa Kufi për vitin 2017.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>