Organizatat e gazetarëve kërkesë Ramës: Tërhiq projekligjet për kontrollin e medias online

Organizatat e gazetarëve kërkesë Ramës: Tërhiq projekligjet për kontrollin e medias online

“Qeveria shqiptare duhet të tërheqë projektligjet për rregullimin e medias në internet.”

Kjo ishte kërkesa kryesore që një grup organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit, i drejtuan sot kryeministrit Rama.

Me anë të një deklarate për median, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, BIRN e organizata të tjera u shprehën se projektligjet e Ramës “rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin.”

Projektligjet e paketës për disiplinimin e medias online, propozuar nga Kryeministri Rama dhe shumica socialiste, synojnë të krijojnë një regjistër të çdo faqeje në internet. Ato i japin të drejtë një institucioni të quajtur “Këshilli i Ankesave”, të gjobisë mediat në bazë të kërkesave të të tretëve, ose të urdhërojë mbylljen e mediave, ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Shqipërisë.

Projektligjet u japin të drejtë AMA-s ose tatimeve, të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore. Kjo rrit rrezikshëm nivelin e censurës e vetëcensurës ekzistuese në median shqiptare.

“Nëse maxhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritaritar. Kjo pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët,” vazhdon më tej deklarata e tyre.

Grupi i organizatave ngre dhe një shqetësim tjetër lidhur me tatimin për median online që Kryeministri Rama kërkon të vërë:

“Tatimi në masën 20 për qind për median online, kur në ndryshimet  e ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të dhjetorit të kaluar, mediave vizive, kjo tarifë u ulet në 6%, dëshmon një targetim të posacëm për këto media, që duhet korrigjuar.”

Të dyja këto nisma ligjore përbëjnë hapa pas në procesin e integrimit të vendit në BE, po të merret parasysh detyrimi i Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me atë europian.

Lista e organizatave që kanë nënshkruar deklaratën janë:

– BIRN Albania

– Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

– Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

– AIS/Open Data Albania

– Civil Rights Defenders

– Këshilli Shqiptar i Medias

– Qendra Shqiptare MediaLook

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>