Një delegacion i përbërë nga 7 organizata ndërkombëtare të lirisë së medias vizitoi Tiranën këtë javë. Ata shprehën shqetësimin e tyre për përkeqësimin e lirisë së medias dhe mos plotësimin e detyrimeve të parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Delegacioni përbëhej nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Federata Evropiane e Gazetarëve, Reporterët pa Kufij, Instituti Ndërkombëtar i Medias dhe Organizata e Medias për Evropën Jug-Lindore.
Ato theksuan se gjendja e medias në Shqipëri ishte më keq se në çdo vend tjetër të rajonit, dhe po vazhdonte të përkeqësohej. Delegacioni u shpreh se gjendja aktuale po shtronte rrugën për rritjen e dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Ata kritikuan në veçanti politikanët, duke deklaruar se politikanët po përdorin “një retorikë armiqësore kundrejt medias”.
Në konferencën për shtyp të mbajtur sot në Tiranë, Flutura Kusari, përfaqësuese e Qendrës Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit paraqiti disa nga gjetjet e delegacionit, pas takimeve me gazetarë, botues, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë të qeverisë. Mes të tjerëve, delegacioni u takua dhe me Kryeministrin Rama, ndërsa Kryebashkiaku Erion Veliaj refuzoi të takohej me ta.
Bazuar në takimet me gazetarët, delegacioni gjeti se sulmet fizike, fushatat e linçimit dhe mënyrat e tjera të kërcënimit dhe frikësimit mbeten të pazgjidhura dhe gazetarët në shumë pak raste marrin drejtësi. Po ashtu, sipas tyre, në Shqipëri ka autocensurimin të medias, pasi gazetarët shpesh i shmangen raportimit të rasteve të korrupsioni dhe të denoncimit të politikanëve nga frika e ndëshkimit nga pronarët e tyre.
Ata gjithashtu u shprehën se kuadri ligjor për median online të huaj dhe shqiptare, si dhe propozimi i qeverisë për të regjistruar të gjitha portalet, nuk janë “në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.
Sipas delegacionit, gjatë një takimi me Kryeministrin, ai deklaroi se një draft i ri i përditësuar i ligjit të medias së shpejti do të bëhet publik. Kryeministri deklaroi në takim se pushteti i qeverisë për mbylljen e portaleve do të eliminohet dhe gjobat do të ulen në krahasim me draftin e mëparshëm.
Delegacioni vuri në dukje mungesën e transparencës dhe të konsultimit me grupet e interesit gjatë procesit të hartimit të ligjit, dhe i kërkoi qeverisë përfshirjen e gazetarëve dhe shoqërisë civile në hartimin e ligjit.
Shqetësime të tjera të ngritura nga delegacioni ishin përcaktimi i shpifjes si vepër penale dhe përdorimi i saj nga politikanët për të censuruar gazetarët, shpesh duke i paditur dhe kërkuar dëmshpërblim në shuma të lartë dhe joproporcionale.
Rama e siguroi delegacionin se ai nuk do të përdorë përcaktimet e Kodit Penal kundër gazetarëve, por tha se do të vazhdojë të padisë në gjykatën civile, gazetarët të cilët shpifin.
Pasi përfaqësuesit e organizatave ngritën shqetësimin e përdorimit të gjuhës poshtëruese dhe të fushatave të linçimit kundrejt gazetarëve, Rama premtoi se në të ardhmen nuk do t’i thërriste më gazetarët “kazan”.
Delegacioni theksoi se kjo lloj sjellje ndaj gazetarëve është përsëritur shpesh nga politikanë të ndryshëm, edhe në mediat sociale.
Organizatat kritikuan qeverinë gjithashtu për mos mbajtjen e konferencave për shtyp, duke mos plotësuar kushtet e transparencës, detyrimet për lirinë e informimit dhe duke kufizuar qasjen e gazetarëve të pavarur, duke shmangur kriticizmin dhe duke kontrolluar narrativën. Rama nuk i pranoi këto kritika dhe tha se “ne nuk bëjmë asnjë lloj përzgjedhje… ne i ftojmë të gjithë dhe të gjithë vijnë”. Ai shtoi se ka qënë gjithmonë i hapur për pyetje nga të gjithë gazetarët dhe asnjëherë nuk i ka mohuar të drejtën askujt të ndjekë fushatën e tij zgjedhore.
Delegacioni gjithashtu bëri një sërë rekomandimesh për të përmirësuar të drejtat e njeriut dhe lirinë e medias në vend. Disa prej tyre janë:
– Heqja e çdo dispozite ligjore që detyron regjistrimin dhe rregullimin nga shtetit të medias online, si dhe të dispozitave që i insitucioneve rregullatore të drejtën pr të vënë gjoba, për të pezulluar apo mbyllur mediat online.
– Hartimi i legjislacionit për median në mënyrë transparente përmes konsultimeve të afërta me gazetarët dhe përfaqësues të tjerë të medias.
– Të gjithë politikanë duhet menjëherë të ndalojnë fushatat e linçimit dhe retorikën ofenduese kundrejt gazetarëve.
– Të rritet mbrojtja ndaj gazetarëve që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin si dhe të ndalohen kërcënimet, fushat linçuese dhe sulmet ndaj gazetarëve.
– Mbajtja e konferencave të hapura për shtyp dhe lejimi i gazetarëve të drejtojnë pyetjet që duan, si dhe sigurimi i aksesit në informacionet publike të qeverisë.
Ata gjithashtu i bënë thirrje gazetarëve të raportojnë çdo rast kërcënimi apo frikësimi tek OSBE-ja dhe çdo organizatë tjetër që ka focus lirinë e shprehjes dhe medias. Ata përsëritën rëndësinë e solidaritetit mes gazetarëve, respektimin e standardeve profesionale dhe dhënies fund të vetëcensurimit.