Organizatat e Lirisë së Medias i kërkojnë qeverisë të tërhiqet nga ligji i ri i censurës

Nga Alice Elizabeth Taylor
Organizatat e Lirisë së Medias i kërkojnë qeverisë të tërhiqet nga ligji i ri i censurës

Dhjetë organizata shqiptare të lirisë së medias dhe të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje qeverisë të heqë dorë nga ligji i ri i medias.

Duke e quajtur atë si “paketa e censurimit” organizatat thanë se projektligji do të “pengojë më tej lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në Shqipëri”. Ata theksuan se delegacioni ndërkombëtar, i cili vizitoi Tiranën në qershor, tha se situata po përkeqësohej.

Deklarata u bë publike nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, MediaLook, Instituti Shqiptar i Shkencës dhe Shoqata Shqiptare e Gazetarëve Profesionistë, BIRN, Res Publica, dhe Bashkimi i Gazetarëve Shqiptarë.

Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste po përpiqen të miratojnë një ligj të ri, për të cilin vetë Kryeministri është shprehur se do të “disiplinojë” median online, portalet. Projekligji do t’i japë qeverisë, përmes një këshilli të kontrolluar prej saj, pushtetin për të vendosur gjoba, të heqë artikuj, të detyrojë portalet të kërkojnë falje publike, ose të vendosin lajmërime nëse ato identifikohen se kanë shkelur privatësinë dhe dinjitetin e qytetarëve.

Këshilli do të ketë pushtetin të gjobisë platformat online deri në 1 milionë lekë për shkelje të rregullave të tyre. Gjithashtu edhe Autoriteti i Telekomunikacionit, dhe ai në kontrollin e qeverisë, do të ketë mundësinë të vendosë gjoba deri në 100 mijë euro për thyerje të këtyre rregullave.

Bashkimi i organizatave për lirinë e medias argumentoi se ligji aktual mbi shpifjen është mëse i mjaftueshëm, dhe nuk ka nevojë për ligje të reja, apo propozime të reja ligjore:

Këto projektligje, në një mënyrë të paprecedentë për vendet demokratike, kërkojnë të imponojnë një regjim të kontrollit administrativ në mediat online.

Pavarësisht se drafti i ri i ligjit ka hequr kërkesën për regjistrim të detyrueshëm, ai i referohet portaleve që regjistrohen në bazë vullnetare. Ekziston shqetësimi se qeveria mund të kërkojë të miratojë disa akte nënligjore për ta bërë regjistrimin të detyrueshëm, duke rritur më tej goditjen ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Shtrirja e kësaj kërkese do të përfshijë çdo portal që shkruan për Shqipërinë, pavarësisht nëse ato janë të regjistruar brenda ose jashtë vendit.

Organizatat thanë se “këto projektligje rrezikojnë rritjen e censurës dhe vetëcensurimit në median lokale”. Ata i kërkuan parlamentit të mos miratojë ligjet e propozuara dhe i kërkuan qeverisë t’i tërheqë ato plotësisht”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>