Organizatat e mediave dënojnë sulmin e Ramës kundër mediave për koronavirusin

Nga Alice Elizabeth Taylor
Organizatat e mediave dënojnë sulmin e Ramës kundër mediave për koronavirusin

Një grup organizatash të mediave dhe të të drejtave të njeriut nënshkruan një deklaratë ku ngrejnë shqetësimin për mënyrën sesi qeveria po kontrollon informacionin rreth shpërthimit të koronavirusit.

Organizatat deklarojnë se qeveria ka monopolizuar informacionin, duke e bërë pothuajse të pamundur marrjen e informacionit të pavarur. Personeli mjekësor është ndaluar të flasë me gazetarët dhe verifikimi i deklaratave të shtypit të qeverisë është kufizuar. Mënyra e vetme për të zbuluar se çfarë po ndodh në lidhje me faktet dhe shifrat është të dëgjosh zëdhënësit e qeverisë në konferenca të mbyllura për shtyp.

Ky kufizim, përveçse jokushtetues, është i dëmshëm. Deklarata thotë se “qeveria nuk ka arritur të komunikojë situatën ditë pas dite. Nëse ka shqiptarë që ende besojnë se “nuk na kap virusi”, kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e strategjisë së qeverisë për komunikimin mediatik javët e fundit.”

Ashtu si shumë shqiptarë të lënë në errësirë, edhe të huajt në Shqipëri janë të hutuar, pasi shumë prej tyre e kanë të vështirë të gjejnë informacione të përditësuara për gjendjen. Shumëve prej tyre u ka mbetur vetëm t’i drejtohen grupeve në Facebook për të kërkuar ndihmë dhe këshilla.

Përveç kësaj, organizatat tërhoqën vëmendjen për mesazhin e çuditshëm zanor të dërguar nga Kryeministri Edi Rama për përdoruesit e telefonave celularë në vend. Në këtë mesazh Rama i këshillon qytetarët “të ruhen nga mediat”. Kjo thirrje politike nuk ka vend në kontekstin e situatës aktuale, dhe personalizimi i komunikimit nga Kryeministri është potencialisht shumë i rrezikshëm.

Me këshillat që publiku të injorojë mediat që punojnë pa u lodhur për të komunikuar informacione jetike në shqip dhe anglisht, fjalët e Ramës konsiderohen joetike dhe të gabuara në deklaratën e organizatave. Informacioni për shëndetin public duhet të shpërndahet në mënyrën e duhur përmes institucioneve, jo përmes metodave të tilla.

Deklarata thotë se një veprim i tillë është i ngjashëm me atë të ndërmarrë nga drejtuesit autokratë, që përdorin fatkeqësi për të forcuar pozicionin e tyre si “udhëheqës suprem”.

 

LEXO  138,000 njerëz në Britaninë e Madhe u vaksinuan në një javë

Lajme te ngjashme