Gazetarët, të cilët punojnë për të mbuluar pandeminë globale të Coronavirus ndodhen nën kërcënim të vazhdueshëm.
Gazetarët e terrenit, jo vetëm janë në rrezik të prekjes nga virusi, por shumë vende kufizojnë lirinë e medias si mjet për për të parandaluar përhapjen e virusit. Ata po rrezikojnë edhe në mënyra të tjera. Sulme, arrestime, akuza për “lajme të rreme” – në një kohë krize dhe kontroll i shtuar i qeverisë, e bën më të vështirë punën e gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Disa nga organizatat kryesore ndërkombëtare të medias kanë reaguar me shpejtësi për të siguruar mbrojtje, mbështetje dhe burime shtesë për gazetarët.
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) lancoi të martën, një faqe të re në internet, e cila do të gjurmojë sulmet ndaj gazetarëve si dhe kufizimet mbi lirinë e shtypit gjatë kësaj kohe.
Rrjeti botëror i redaktuesve, gazetarëve dhe drejtuesve të medias synon të promovojë një mjedis mediatik ku gazetarët mund të përmbushin funksionin e tyre publik, pa ndërhyrjen e qeverisë dhe pa frikën e sulmeve.
Faqja e lancuar do të rregjistrojë sulmet dhe shkeljet naj gazetarëve. Drejtori për çështjet juridike në IPI Ravi Prasad tha se gjatë këtyre kohërave, liria e medias është më e rëndësishme se kurrë.
“Gjatë kësaj krize, qarkullimi i lirë i lajmeve dhe informacionit është më i rëndësishëm se kurrë. Media e pavarur siguron informacion thelbësor për publikun dhe siguron dialog të hapur për masat e marra për të luftuar virusin, ” pohoi Prasad.
“Për më tepër, ekziston një rrezik real që qeveritë me qasje autoritare do të përdorin situatën e tanishme si një pretekst për të kufizuar lirinë e shtypit, përtej krizës aktuale. Prandaj, ne po e dyfishojmë angazhimin tonë për të monitoruar shkeljet e lirisë së shtypit, jo përkundër pandemisë, por për shkak të saj. “
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve lancoi një faqe Përgjigje për Koronavirusin, e cila përmban këshilla të përditësuara fizike, dixhitale dhe psikologjike për gazetarët që mbulojnë krizën, e disponueshme në 15 gjuhë të ndryshme. Faqja ka një seksion “Pyesni një Ekspert”, ku gazetarët mund t’i parashtrojnë pyetje dhe të marrin këshilla.
Drejtësia për Gazetarët dhe Indeksi i Censurimit kanë njoftuar një iniciativë të përbashkët botërore, e cila do t’u mundësojë atyre të monitorojnë sulmet dhe shkeljet kundër mediave. Të gjitha sulmet do të publikohen në faqen e Indeksit dhe Drejtësisë për Gazetarët.
Rachel Jolley, redaktorja e Indeksit tha:
“Në kohë krize të jashtëzakonshme, qeveritë shpesh shfrytëzojnë rastin të kufizojnë liritë personale dhe lirinë e medias. E drejta e publikut për tu informuar mund të kufizohet shumë në këtë kohë, pa proces demokratik.”
Drejtoresha e Drejtësisë për Gazetarë, Maria Ordzhonikidze shtoi:
“Sot, ne jemi dëshmitarë se si qeveritë dhe biznesmenët e korruptuar në shumë prej autokracive abuzojnë me kufizimet aktuale ndaj kontrollit publik. Ky kufizim i madhe i lirive civile e bën realizimin e interesave të tyre më të lehtë dhe madje edhe më pak transparent, ndërsa punonjësit e mediave, të cilët përpiqen të zbulojnë veprimet e tyre, përballen me shumë rreziqe. ”
Roli i projektit është të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e lirisë së medias, të mbështesë gazetarët, puna e të cilëve po pengohet, dhe të vazhdojë të përmirësojë lirinë e mediave në nivel botëror.
Të tjera burime për gazetarët, të cilët raportojnë mbi pandeminë e koronavirusit, mund të gjehen këtu.