Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Tiranë ka shpërndarë sot informacion të rreme se protesta e shoqërisë civile për çështjen Maloku-Rrahja është organizuar nga opozita.
Në përmbledhjen ditore që OSBE-ja harton dhe ja shpërndan trupit diplomatik në Tiranë, shkruhet:
“Opozita ka organizuar një protestë sot mbasdite për të protestuar kundër aktit të dhunës mbi një vajzën e re dhe mbi dështimin e focës së ligjit për t’ju përgjigjur këtij rasti.”
Me këtë deklaratë keqinformuese, OSBE-ja, e cila duhet të kishte reaguar ditë më parë për këtë çështje, jo vetëm që nuk mbron të drejtat e grave, por i del në krah dhunuesit të grave dhe dhunuesve të ligjit, deputetëve të PS-së Balla e Rraja.
Për më tepër, duke quajtur opozitën si organizatore të protestës, OSBE-ja tenton të zbehë reagimin e qytetarëve për këtë ngjarje të rëndë ku tregohet më së miri se pushteti dhe i forti fitojnë mbi të drejtat e grave të dhunuara, për tu trajtuar me dinjitet dhe për të qenë të barabartë përpara ligjit.
Njësoj si me mungesën e reagimit në mbrojtje të së dhunuarës gjatë këtyrë ditëve, sot OSBE ka dhunuar punën e aktivisteve për të ndërgjegjësuar qytetarët lidhur me dhunën ndaj grave dhe mungesën e shtetit ligjor në vend.