OSBE kritikon ligjet Rama për median: AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatën

Nga Gjergj Erebara
OSBE kritikon ligjet Rama për median: AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatën

Projektligji për rregullimin e medias në internet i qeverisë “Rama” është kritikuar ashpër nga një raport i OSBE, por pavarësisht kësaj, qeveria vijoi me miratimin e tij, ndërkohë që ministrja Gjonaj pretendoi se “draftet janë konsultuar”.

Të mërkurën e kaluar, Ministrja e Drejtësise Etilda Gjonaj deklaroi se Këshilli i Ministrave kishte miratuar atë që qeveria e quan “paketë antishpifje”, dhe se kjo paketë ishte konsultuar me “aktorë ndërkombëtarë si OSBE dhe Bashkimi Europian”. Por ndonëse procesi i konsultimit është kryer, ajo që znj. Gjonaj nuk tha ishte se çfarë nuk ishte rënë dakord me OSBE.

Të enjten më 11 korrik, pas kërkesave të shoqërisë civile shqiptare, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias Harlem Desir publikoi vlerësimin që zyra e tij kishte porositur mbi ligjin e propozuar nga qeveria nga një ekspert i pavarur si dhe një deklaratë shoqëruese. Deklarata dhe analiza ligjore vënë në dukje mospërputhje të konsiderueshme mes projektligjeve të miratuara dhe standardeve ndërkombëtare në fushën e lirisë së medias.

Sipas deklaratës, “Autoriteti i Medias Audiovizive nuk duhet të jetë një zëvendësues i gjyqësorit të pavarur dhe as të zëvendësojë një mekanizëm të përshtatshëm vetë-rregullues në lidhje me lirinë e shprehjes”.

Ndërkohë vlerësimi i kryer nga eksperti Joan Barata Mir thekson se këto ligje janë tepër të vagullta në përkufizime ndërsa gjobat janë tepër të larta dhe disproporcionale dhe si të tilla, mund të vënë në pikëpyetje mbijetesën e medias.

“Referenca e përfshirë në nenin 33/1 për ‘respektimin e privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve” është tepër e gjerë dhe e përkufizuar shumë keq e për rrjedhojë mund të interpretohet si një fuqizim i rregullatorit për të miratuar vendime shumë restriktive (përfshirë heqjen e përmbajtjes) në një mënyrë pothuajse diskrecionare dhe në fusha (për shembull, shpifja) ku një vendim duhet të ndërmerret nga një gjykatës kompetent dhe jo nga një organ administrativ,” shkruhet në vlerësimin ligjor të projektligjit. “Për rrjedhojë rekomandohet se kjo duhet të eliminohet”.

Vlerësimi ligjor i OSBE shpreh shqetësim edhe për të ashtuquajturën “të drejtë për përgjigje” dhe në veçanti, detyrimin që ligji i ngarkon medias që të publikojë një kërkesë ndjese me urdhër nga AMA.

“Rregullimi i të ashtuquajturës të drejtë për t’u përgjigjur në nenin e ri 53/1 i jep AMA të miratojë vendime detyruese për ofruesit e shërbimeve. Duhet të theksohet se pavarësisht faktit se nuk ka standarde specifike ndërkombëtare në lidhje me përgjegjësinë e një enti për të marrë vendime në këtë fushë, mosmarrëveshje të këtij lloji zakonisht ndërmjetësohen, në praktikat më të mira ndërkombëtare të krahasueshme, nga një gjyqtar ose në kontekstin e një mekanizmi vetërregullues, dhe jo nga një organ rregullues administrativ,” thuhet në vlerësim.

Vlerësimi i ekspertit ngre shqetësim edhe për masat e gjobave të parashikuara dhe rrezikut që këto gjoba të shërbejnë si mekanizëm indirekt për mbylljen e medias në internet.

“Nëse marrim parasysh përmasat dhe karakteristikat e shërbimeve të publikimit në internet të cilat mund të bëhen subjekt i ligjit, sasia e gjobave do të jetë dukshëm e tepruar për pothuajse të gjithë ofruesit e shërbimeve në Shqipëri. Për rrjedhojë, këto gjoba mundet në fakt të shihen si një mënyrë indirekte për të detyruar mbylljen e medias apo për të krijuar probleme mbijetese për operatorë të tillë. Kjho masë dukshëm përbën dhunim të parimit të proporcionalitetit”.

Qeveria shqiptare miratoi javën e kaluar dy projektligje mbi median në internet, ku përfshihen të gjitha klauzolat e kritikuara në këtë raport të OSBE, përfshirë edhe disa klauzola, të cilat nuk janë komentuar nga OSBE. OSBE mësohet se ka vlerësuar një draft pune të qershorit, por nuk bëhet e ditur nëse drafti mbi të cilin ka punuar eksperti i OSBE është i njëjtë apo i ndryshëm me draftin e miratuar në Këshillin e Ministrave.

Projektligjet e propozuara nga qeveria parashikojnë krijimin e një strukture administrative me fuqi për të gjykuar lajmet e medias dhe për t’i gjobitur mediat pa të drejtë ankimimi në gjykatë. Sipas projektligjit, nëse një qytetar ndjehet i cënuar në dinjitet nga një raportim mediatik, ai kërkon pranë Autoritetit të Medias Audiovizive ndëshkimin e medias në fjalë. Projektligji përjashton në mënyrë eksplicite deputetët, partitë politike dhe qeverinë, duke sanksionuar se një person nuk mund të ankohet për raportimet në media nga fyerjet që mund të bëhen nga foltorja e kuvendit, apo nga zyrat e një partie politike apo nga zyrat e qeverisë.

-Publukuar në reporter.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>