OSBE kritikon zgjedhjet vendore: Presion mbi votuesit, zgjedhje pa garë, KQZ e politizuar

Nga Alice Elizabeth Taylor
OSBE kritikon zgjedhjet vendore: Presion mbi votuesit, zgjedhje pa garë, KQZ e politizuar

Raporti përfundimtar i Misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it nxorri në pah një sërë problemesh dhe parregullsish për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Problemet kryesore kanë të bëjnë me mungesën e garës, kërcënimin dhe presionin ndaj votuesve, veçanërisht ndaj administratë publike, anshmërinë e televizioneve dhe politizimin e KQZ-së

Po ashtu OSBE kritikoi klasën poltike për mosplotësimin e rekomandimeve të mëparshme të tyre.

Më poshtë, janë disa nga pikat kryesore të raportit:

Presioni mbi votuesit

OSBE shkruan se mbi qytetarët, veçanërisht ata të punësuar në administratën publike, është ushtruar presion për të treguar hapur bindjet e tyre politike – shkelje kjo e qartë e marrëveshjes së Kopenhagenit të OSBE-së.

Qytetarë të ndryshëm i kanë treguar vëzhguesve se janë kërcënuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë për shkarkime nga puna ose heqje të ndihmës sociale.

OSBE shkruan se ka marrë “shumë” deklarata se megjithëse është e paligjshme, administrata publike dhe punonjësit e institucioneve të varura prej bashkive ishin nën “presion direkt dhe indirekt për t’u përfshirë në veprimtari politike gjatë dhe pas orarit të punës”.

OSBE shkruan që ekzistonte një perceptim i gjerë mes qytetarëve se punësimi në sektorin publik varet nga përkatësia politike.

Vëzhguesit e OSBE-së raportuan se gjatë ditës së votimit, kanë vëne re raste të frikësimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit.

Parregullsitë

KQZ regjistroi Partinë Bindja Demokratike (BD) si një subjekt zgjedhor më 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti politike vetëm më 25 prill me një vendim gjykate që mori formë të prerë më 10 maj.

Përveç kësaj, KQZ-ja nuk i kërkoi partisë së saporegjistruar, Bindjes Demokratike, të mblidhte firma mbështetëse, duke e shpërfillur kërkesën për periudhën gjashtë-mujore.

Gjatë votimit, vëzhguesit e OSBE-së vunë re se në shumë qendra votim nuk respektoheshin rregullat si përshembull kontrolli i bojës nëpër gishta, kontrolli i qendrës së votimit apo sigurimi i fshehtësisë së votës dhe votimit personal, jo në grup.

Gjatë numërimit, OSBE gjeti shumë parregullsi duke filluar me faktin se shumica e grupeve të numërimit ishin të papërvojë ose përfaqësonin PS-në.

Të paktën 14 kuti votimi të dorëzuara u deklaruan të parregullta, për shkak të vulave të humbura ose të prishura, por vetëm gjysma e këtyre rasteve u regjistruan siç duhet.

Pothuajse 10 për qind e tabelave të rezultateve kishin probleme në të gjitha rastet e vëzhguara.

Më shqetësues ishte fakti që numri i përgjithshëm i fletëve të votimit nuk u llogarit ose u krahasua me firmat në listën e votuesve.

Media

Kritikat ndaj mediave ishin të ngjashme me kritikat e bëra kohët e fundit nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e shtypit: gazetarët tentojnë të vetëcensurohen për shkak të lidhjeve të ngushta dhe interesave të pronarëve të mediave ku punojnë. Kështu, mediat veprojnë si “platforma lobuese për pronarët e tyre”.

Sipas OSBE-së televizionet kombëtare si Top Channel, TV Klan dhe RTSH-1 shërbyen si platforma për të promovuar Partinë Socialiste dhe ishin kritikë ndaj opozitës, ndërsa programet në News 24 (që të dyja tashmë të anuluar) kritikuan qeverinë dhe PS-në.

Fakti se RTSH-ja (televizioni kombëtar publik) drejtohet nga Thoma Gëlliçi, ish kryeredaktori i gazetës zyrtare të PS-së dhe se televizioni varet pjesërisht nga fondet e shtetit, tregojnë ‘politizim’ dhe ngrenë dyshime serioze për paanshmërinë e tij.

Praktika e PS-së për të mos lejuan gazetarët të marrin pjesë në aktivitete dhe për t’i dërguar atyre kaseta të gatshme të filmuara nga vetë PS-ja, sipas OSBE-së “kufizoi aftësitë e votuesve për të marrë informacion objektiv”.

Kjo praktikë “sfidoi të drejtën themelore të mediave për të marrë informacion” dhe “zvogëloi përgjegjësinë e zyrtarëve shtetërorë para publikut”.

OSBE rekomandoi që pozicionet e larta të drejtimit në televizionet publike të mos u jepen njerëzve me “përkatësi të qartë politike” dhe që pavarësia e rregullatorit të mediave të forcohet përmes masave që parandalojnë konfliktet e interesit.

Përveç kësaj, Kodi Zgjedhor duhet të garantojë qasje të barabartë në media për të gjitha palët konkurruese dhe t’u lejojë atyre të blejnë reklama në kushte të barabarta.

Pabarazia

OSBE theksoi se shumë pak gra kanë role udhëheqëse brenda partive politike, dhe ato që kanë të tilla role, nuk kishin role active gjatë fushatës.

Media i dha vetëm 7 për qind të kohës së transmetimit kandidatëve femra.

Sa i përket pakicave etnike, OSBE shkruan se ata “u prekën nga praktikat e blerjes së votave” dhe se shumë pjestarëve të komunitetit egjiptian dhe rom “iu dhanë mallra për të ndikuar votën e tyre”.

Gjatë regjistrimit të votuesve është vënë re se shumë anëtarë të këtyre komuniteteve nuk janë regjistruar pasi nuk kanë vendbanim ose adresë zyrtare.

Po ashtu, KQZ nuk arriti të prodhojë materiale informuese në lidhje me zgjedhjet në ndonjë gjuhë minoritare, pavarësisht se këto pakica kanë të drejtë vote në Shqipëri.

Në kundërshtim me  rekomandimet e mëparshme të OSBE-së dhe praktikave ndërkombëtare, rezidentët në Shqipëri që nuk kanë nënshtetësinë nuk kanë ende të drejtë vote, pavarësisht nga kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Rezultatet

Dita e zgjedhjeve u raportua si “përgjithësisht paqësore” nga KQZ.

KQZ raportoi se pjesëmarrja kombëtare në zgjedhje ishte 22,96 për qind.

Partia Socialiste në pushtet fitoi me 94.05 për qind të votave dhe mori në total 60 nga 61 bashkitë, për faktin se në shumicën e bashkive, kandidatët socialistë nuk kishin kundërshtarë.

Megjithëse KQZ pranoi kërkesa për pavlefshmëri të rezultateve të zgjedhjeve në më shumë se 40 bashki, ajo i refuzoi të gjitha këto ankesa kryesisht për mungesë provash.

Më 27 korrik, KQZ miratoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

OSBE-ODIHR vuri në dukje se interpretimi i ligjeve nga KQZ-ja, veçanërisht për pjesën se vetëm ato parti parlamentare që marrin pjesë në zgjedhje mund të kenë anëtarë në administratën zgjedhore, e lanë administratën zgjedhore të pabalancuar politikisht dhe të paanshme.

Rekomandime

OSBE-ODIHR rekomandoi se

 – Partitë politike duhet të përfshihen në “dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës”, si mënyra e vetme për të forcuar demokracinë dhe integritetin pluralist.

 – Administrate publike nuk duhet përdorur gjatë zgjedhjeve dhe shërbimi civil duhet depolitizuar.

 – Nuk duhet të ushtrohet presion mbi votuesit për të marrë pjesë në aktivitete politike ose për të votuar në një mënyrë të caktuar.

 – Votuesit duhet të kenë të drejtën e tyre për votim të lirë dhe të fshehtë, të garantuar dhe autoritetet duhet të hetojnë siç duhet të gjitha pretendimet për shkelje të këtyre të drejtave.

 – Vendi i punës dhe marrja e shërbimeve sociale nuk duhet të cënohet për shkak të përkatësisë politike.

 – Duhet të merren masa për rekrutimit dhe trajnimit të komisionerëve të votimit dhe numërimit në mënyrë që të sigurohet profesionalizmi i tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>