Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, mbështeti sot vendimin e marrë në Maqedoninë e Veriut për ngritjen e një mekanizmi vetë-rregullues për mediat on-line.
Kjo mbështetje la të kuptohet se OSBE po ndjek standarde të ndryshme në qëndrimet e saj në raport me lirinë e medias në rajon. Në Shqipëri, edhe pse mori pjesë në konsultime, Zoti Désir u tërhoq nga një qëndrim i tillë përpara këmbënguljes së qeverisë për të rregulluar mediat me ndërhyrje ligjore.
Përmes një njoftimi për shtyp, Zoti Désir tha se “vetë-rregullimi i mediave është mekanizëm i dobishëm për promovimin e informacionit cilësor, ruajtjen e lirisë editoriale dhe forcimin e besueshmërisë së mediave”.
Nisma në Maqedoninë e Veriut synon të promovojë vetë-rregullimin e mediave online përmes, transparencës së financimeve, angazhimit të mediave on-line për të respektuar kodin etik të gazetarëve dhe publikimin e vendimeve të Këshillit të Etikës në Media.
“Shpresoj se kjo punë e përbashkët nga disa organizata në Maqedoninë e Veriut do të jetë e dobishme për platformat e mediave on-line, si dhe për komunitetin e gjerë të mediave” tha Désir.