OSBE nismë për të rritur sigurinë e gazetareve femra në internet

Nga Alice Taylor
OSBE nismë për të rritur sigurinë e gazetareve femra në internet

Të hënën Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias njoftoi një nismë të re të krijuar për sigurinë e gazetareve femra në internet.

Sipas Udhëzuesit të Burimeve publikuar nga OSBE-ja, kjo nismë do të sigurojë që aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë në të gjithë vendet e OSBE-së të marrin masa për të rritur dhe përmirësuar sigurisë dixhitale të grave gazetare. Në materialin e botuar nga OSBE përfshihen dhe sugjerime për grupet e interesit si qeveria apo parlamenti,  sistemi gjyqësor, organet ligjzbatuese, organizatat ndërqeveritare, media, organizatat e gazetarëve, shoqërinë civile dhe organet vetërregulluese, si dhe për vetë gazetarët.

“Kur bëhet fjalë për sigurinë në internet të gazetareve femra, ka ende hendek mes teorisë dhe zbatimit. Ky është një mjet i rëndësishëm për t’u ofruar të gjithë palëve të interesuara udhëzime për veprime konkrete që duhet të ndërmerren – dhe mënyrën e zbatimit të tyre,” tha Jürgen Heissel, Drejtor i Zyrës së OSBE RFoM, gjatë ngjarjes së nisjes sot.

Autorja e Udhëzuesit, Silvia Chocarro, Shefe e Mbrojtjes së Gazetarëve në organizatën Neni 19, tha se: “Ngacmimi dhe abuzimi në internet ndaj grave gazetare nuk është pjesë e punës. Gjithkush ka një rol për të luajtur në luftimin e tij dhe shtetet kanë detyrimin ta trajtojnë atë si fenomen.”

Hanna Stjärne, Kryeshefe Ekzekutive në televizionin kombëtar të Suedisë, deklaroi se ata trajtojnë mesatarisht 35 çështje sigurie çdo ditë, gjatë gjithë vitit, duke përfshirë ngacmime, akte dhune dhe kërcënime.

“Kërcënimet ndaj gazetarëve janë një kërcënim kundër demokracisë dhe lirisë së fjalës – shtyllat e shoqërisë sonë,” tha Stjärne.

Projekti u lançua në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund Mosndëshkimit për Krimet kundër Gazetarëve. Në Evropë ka të paktën 22 raste ku gazetarët janë vrarë dhe drejtësia nuk është vendosur. Mes tyre janë dhe rastet eDaphne Caruana Galizias në Maltë, Jan Kuciakut në Sllovaki dhe Viktoria Marinovës në Bullgari. Shumë të tjerë janë sulmuar, ngacmuar dhe kërcënuar dhe as nuk kanë pasur drejtësi, pavarësisht raportimit të krimeve.

Këshilli i Evropës lëshoi ​​një deklaratë dje, duke përforcuar rëndësinë që gazetarët kanë në shoqëri:

“Roli kryesor i gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të medias në zbulimin e keqbërjeve, korrupsionit, krimit dhe abuzimit të pushtetit i ekspozon ata ndaj frikësimit, kërcënimeve, ngacmimeve dhe dhunës, proceseve gjyqësore abuzive, ndonjëherë ndaj privimit arbitrar të lirisë, dhe në raste ekstreme ndaj torturave dhe vrasjeve.

Sulmet kundër gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të medias përbëjnë shkelje veçanërisht serioze të të drejtave të njeriut sepse ato synojnë jo vetëm individët e interesuar por privojnë të tjerët nga e drejta e tyre për të marrë informacion, duke minuar kështu debatin publik, i cili është në zemër të demokracisë pluraliste. Të gjitha format e sulmeve ndaj gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të medias përbëjnë sulme ndaj vetë demokracisë. ”

Këshilli i Europës i kujtoi shteteve anëtare se ata kanë detyrim politik dhe ligjor për të përmbushur detyrimet e tyre për mbrojtjen e gazetarëve sipas ligjit evropian për të drejtat e njeriut.

UNESCO gjithashtu vuri në dukje se shumica dërrmuese e krimeve kundër gazetarëve janë ende të pazgjidhura.

Vetëm javën e kaluar, një gazetar shqiptar Elidon Ndreka u vu në shënjestër të një sulmi me tritol në shtëpinë e tij në Lezhe. Në vitin 2018, shtëpia e gazetares Klodiana Lala u sulmua nga zjarri me mitraloz – autorët ende nuk janë sjellë para drejtësisë. Këtu mund të lexoni një listë jo-shteruese të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias në Shqipëri.

Exit kontaktoi një zëdhënës të qeverisë shqiptare në lidhje me Udhëzuesin e Burimeve të OSBE-së, duke pyetur se si ata planifikojnë të zbatojnë sugjerimet dhe rekomandimet e tij. Asnjë përgjigje nuk u mor deri në momentin e botimit të këtij artikull.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>