Filmi që trajton dramën e Luftës së Parë Botërore “1917” ka marrë 10 kandidime për çmim Oscar duke u cilësuar si një nga pretendentët kryesorë për vlerësimet e akademisë, bashkë me “The Irishman (Irlandezi) të Martin Scorceses dhe “Once upon a Time in Hollywood” (Dikur në Hollywood) të Quentin Tarantinos.
I realizuar nga kineasti Sam Mendes, “1917” trajton historinë e dy ushtarëve të rinj në vijën e frontit. Ata angazhohen në një detyrë tepër të rëndësishme: të njoftojnë një bataljon prej 1,600 ushtarësh britanikë se aksioni që ata kanë në plan për të ndërmarrë në fakt është kurth i parapërgatitur nga gjermanët.
Rreshterët Schofield dhe Blake, të interpretuar nga George McKay dhe Dean-Charles Chapman, duhet të kalojnë në territorin armik në mënyrë që të çojnë lajmin. Në bataljonin e vënë nën rrezik është edhe i vëllai i Blake.
Kineasti Sam Mendes ka treguar se ideja e filmit i lindi prej faktit se gjyshi i tij, Alfred Hubert Mendes, ka luftuar në Luftën e Parë Botërore dhe një periudhë ka bërë detyrën e mesazh-dërguesit në vijën e llogoreve, nga një postë në tjetrën.
Kritikja e New York Times Cathy Tempelsman e përshkruan filmin “1917” të një realizimi të atillë që “kthen një luftë të tmerrshme në një udhëtim heroik”.
“1917” ka fituar deri më sot 2 çmime Golden Globe, 7 çmime BAFTA ku ndër vlerësimet kryesore kanë qenë regjia dhe realizimi më i mirë artistik.
Në vitin 1998, kineasti Steven Spielberg fitonte Oscar me filmin “Saving Private Ryan” (Duke shpëtuar ushtarin Rajan). Filmi ishte ndër të parët që trajtonte luftën me pamje të afërta nga fusha e betejës. Ai realizim është kthyer ndër klasikët e filmave të luftës.
Mirëpo tashmë të njëjtën mundësi e ka edhe “1917”. Mendes thotë se ai dëshironte ta mbërthente audiencën përsëri në fushën e betejës së Luftës së Parë Botërore duke përdorur tregime origjinale dhe një realizim të artit bashkëkohor.
Ekipi filmoi pa ndërprerje brenda një llogoreje disa kilometrash të gjatë të ndërtuar vetëm për realizimin e filmit. Ndërsa ndiçimi i skenave ishte sfidues për faktin se filmohej në natyrë të hapur.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar mbahet sot më 9 shkurt.
Kandidaturat janë:
Filmi më i mirë: 1917; Joker; Ford vs Ferrari, Parasite, Once upon the time in Hollywood, The Irishman, Jojo Rabbit, Joker, Little Women dhe Marriage Story.
Aktorja më e mirë në rol kryesor: Scarlett Johansson (Marriage Story), Saoirse Ronan (Little Women), Charlize Theron (Bombshell), Renee Zellweger (Judy) dhe Cynthia Erivo (Harriet).
Aktori më i mirë në rol kryesor: Antonio Banderas (Pain and Glory), Leonardo DiCaprio (Once upon a Time in Hollywood), Adam Driver (Marriage Story), Joaquin Phoenix (Joker) dhe Jonathan Pryce (The Two Popes).
Filmi 1917 është kandiduar për çmimin e kinematografisë, skenarit, prodhimit më të mirë, dizajnit më të mirë, make-up-it më të mirë, muzikës më të mirë, editimit më të mirë muzikor, miksazhit më të mirë dhe efekteve vizive.