OSHEE si organizatë partie – Koment

OSHEE si organizatë partie – Koment

Si kundërpërgjigje ndaj akuzave të Partisë Demokratike për prokurime klienteliste, OSHEE ka bërë dje një deklaratë publike.

Mbasi jep sqarime të përcipta, të cilat nuk i përgjigjen thelbit të akuzave, OSHEE ka deklaruar:

“Partia Demokratike s’ka asnjë mundësi ta kuptojë këtë, përderisa e vetmja fushë ku kjo parti është e trajnuar është fusha e shpifjes.”

Në një deklaratë të muajit shtator, përsëri si kundërpërgjigje të akuzave të PD-së, OSHEE pati përdorur gjuhë të ngjashme.

“Me keqardhje deklarojmë se Partia Demokratike përdor ende “metodat” e së shkuarës kur qeveriste.”

“PD, me mendjen nga e shkuara e saj korruptive, mendon akoma si në kohën e ‘zarfit’.”

“Por mbase PD-së nuk i intereson përmirësimi i shërbimit ndaj klientit, ndërtimi i zyrave për kujdesin ndaj abonentit, që sot janë në kushte mizerabël.”

Deklarata të tilla banale dhe arrogante nga një kompani publike, përveçse shkelje e çdo norme etike dhe profesionale, janë shprehje të militantizmit partiak.

Deklaratat e OSHEE ngjajnë si dy pika uji në stil, fjalor e qasje me deklaratat që dalin zakonisht nga zyra e PS-së.

Ky stil partiak dëshmon paaftësi arsyetimi të drejtuesve të kompanisë apo kujtdo që qëndron prapa deklaratave, pasi në vend që ato të sqarojnë publikun e mbrojnë imazhin e kompanisë, ato e kompromentojnë OSHEE-në duke i dhënë besueshmëri pretendimeve për përdorimin e saj për partiake dhe klienteliste.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>