Kosova po shton kapacitetet për të pranuar refugjatët afganë, u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin britanik “SkyNews”, raporton Koha.net.
Ajo nuk ka treguar një shifër se sa mund të vijnë, por u shpreh e bindur se grupin e parë mund ta akomodojnë në një nga lokacionet e parapara:
“Jemi veçse gati të pranojmë refugjatët e parë. Çfarë po bëjmë tani është se po rrisim kapacitetet ashtu që të mund të pranojmë më shumë. Nuk mund të përmend numrin final deri të studiojmë ato dhe çdo lokacion në Kosovë që mund t’i marrë ata. Është çështje ditësh, por jemi gati të pranojmë grupin e parë, kështu që do të varet nga ajo se si aranzhohet transporti i tyre nga SHBA-ja”.
“Ne jemi gati, me derë dhe zemër të hapur”, u shpreh Osmani duke shtuar se do ta ketë se shpejti informacionin mbi datën se kur arrin grupi i parë i refugjatëve.
Osmani ka treguar se pesë shtetas të Kosovës në Afganistan kishin kërkuar ndihmë nga institucionet për evakuim dhe se nuk ka të tjerë.
Sipas saj, shumë kosovarë kanë punuar për forcat ushtarake amerikane dhe britanike, por se deri pak muaj më parë të gjithë janë larguar nga atje, përveç të pesë qytetarëve që u evakuuan së fundmi.
Presidentja ka thënë se nuk ka kërkesa për status të qëndrimit, pasi Kosova do të jetë strehë e përkohshme e refugjatëve të cilët aplikuan të shkojnë direkt në SHBA.
“Diskutimet që kemi pasur me SHBA-në ishin të lidhura me njerëzit, punonjës që punonin me ushtrinë amerikane të cilët veçse kishin shprehur interesimin që të shkojnë direkt në SHBA. Por, për shkak se aplikimet e tyre po marrin kohë, ne do t’i mirëpresim ata për sa kohë që ka nevojë, në Kosovë. Nuk kemi marrë ndonjë kërkesë njerëzit të vijnë këtu, por e kemi derën e hapur dhe nuk ka ndonjë shtet në botë që e kupton dhimbjen e refugjatëve më shumë se sa ne”, theksoi Osmani për “SkyNews”.