Shkëlqim Fusha, pronari i kompanisë Fusha shpk, pagoi 1816 euro për qëndrimin e Nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, për dy netë në një hotel në Barcelonë.
Mediat botuan një formular të fimosur nga Fusha, i cili autorizon Arbjan Maznikun të përdorë kartën e kreditit të Shkëlqim Fushës për të paguar shpenzimet e tij në Hotelin Alma në Barcelonë, më datë 21 qershor.
Në përgjigje të pyetjeve të Zërit të Amerikës për këtë rast, Bashkia Tiranë e pranoi pagesën e kryer nga Shkëlqim Fusha. Zyra e shtypit të Kryetarit Erion Veliaj u justifikua se udhëtimi ishtë bërë për të marrë një çmim për Sheshin Skënderbej, që i ishte dhënë kompanisë Fusha shpk dhe Bashkisë Tiranë:
Kompania “Fusha” mori përsipër të mbulojë shpenzimet për grupin nga Shqipëria, kësisoj duke mos shpenzuar fonde të Bashkisë së Tiranës për një çmim që i jepej si bashkisë edhe kontraktorit për realizimin.”
Pagesa nga Shkëlqim Fusha për zyrtarë të bashkisë shkel ligjin për konfliktin e interesave dhe tejkalon kufirin prej 10 mijë lekësh (afro 85 euro) të dhuratave që mund të pranohen nga punonjësit e institucioneve shtetërore, sipas Nenit 4/f të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.
Botimi i kësaj fature vjen vetëm pak javë përpara se komisioni “i pavarur” i vlerësimit të ofertave të shpallë fituesin e tenderit për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave rezidenciale dhe të biznesit në tokë publike, përfshi edhe ndërtimin e një teatri.
Ligji special i rishikuar dhe tenderi i hapur konsiderohen si të përshtatura për Fusha shpk, e cila pritet të jetë fituesja e tenderit, e vetme apo në një ofertë të përbashkët me një tjetër kompani.
Fusha shpk ka fituar të paktën 43 milionë euro në kontrata nga pushteti local gjatë periudhës 2015–2018, sipas të dhënave të Open Data.
Partia Demokratike ka argumentuar që 145 kontrata tenderash të fituara nga Fusha shpk gjatë peridhës 2014 – 2019 kapin shumën prej 101 milionë eurosh, përfshirë kontratat e dhëna nga qeveria.