Palmer: Shqipëria e Maqedonia i plotësojnë kushtet për konferencën e parë me BE-në

Nga Exit News
Palmer: Shqipëria e Maqedonia i plotësojnë kushtet për konferencën e parë me BE-në

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer ka deklaruar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet e vëna nga Bashkimi Europian.

Në një intervistë për gazetarin Lutfi Dervishi, Palmer tha se shpreson që konferencat e para qeveritare me dy vendet të mbahen së shpejti:

“Patjetër, të dy vendet i kanë përmbushur kërkesat në kuadrin e kushteve që janë vendosur nga BE. Dhe besoj se ky do të jetë një event jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm, duam që të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur.”

Ai theksoi se konferenca e parë ndërqeveritare ‘do të jetë një gur kilometrik shumë i rëndësishëm që i vendos Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e anëtarësimit.’

Palmer tha se tashmë Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë funksionale dhe kjo është ‘inkurajuese’.

Duke folur për zgjedhjet e 25 prillit, Palmer tha se ato do të shërbejnë për të parë zbatimin e reformës zgjedhore miratuar muajt e fundit:

“Ne duam të shohim zbatimin e këtyre rregullave të marrëveshjes dhe që zgjedhjet në prill të mbahen në mënyrë që është e drejtë, që është transparente dhe në të cilën klasa politike të jetë llogaridhënëse.

Duam që opinioni dhe mendimi i votuesve të shprehet në kutitë e votimit dhe që kjo të pasqyrohet në përbërjen e parlamentit dhe në politikat që pasqyrojnë ambiciet dhe dëshirat e popullit shqiptar.

Kjo është mënyra se si funksionon demokracia dhe ne jemi me të vërtetë shpresëplotë që zgjedhjet në prill do të sigurojnë dhe do të plotësojnë këto ambicie.”

Pyetur për vëmendjen që administra e re e Amerikës do t’i kushtojë Ballkanit, Palmer tha:

“Kam vetbesim që Ballkani do të ketë vëmendjen e qeverisë amerikane, jo vetëm nga unë, por edhe nga administrata në vetvete e më gjerësisht. Besoj se mund të bëjmë punë shumë të mirë në Ballkan.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>