Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka e cilëson të turpshme mungesën e kryeministrit Rama sot në Kuvend gjatë fjalimit të presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani.
Paloka akuzon Ramën se ka bojkotuar fjalimin e Osmanit duke tradhëtuar sipas tij vlerat kombëtare.
Sipas tij ky akt i kryeministrit është i pafalshëm dhe është shtyrë nga partnerët e tij në Ballkan.
“Është e turpshme që Rama bojkotoi sot fjalimin e Presidentes së Kosovës në parlament. Kio nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri dhe është një akt i shëmtuar politik dhe jo vetëm i shtyrë nga ata që Rama i konsideron partnerë të tij në Ballkan.
Edi Rama tradhëtoi sot vlerat e kombit dhe për fat të keq nuk është hera e parë që e bën këtë. Motivet politike dhe personale që e shtynë ta bëjë këtë akt janë të pafalshme”, shkruan Paloka.
Në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Tiranë, presidentja Osmani mbajti sot në Kuvend një fjalim ku u ndal në disa tema, kryesisht në nevojën e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në ekonomi dhe politikën e jashtme.
Rama nuk ishte i pranishëm gjatë fjalimit të Osmanit. Ai zhvilloi një mbledhje publike ‘online’ me Komitetin e Ekspertëve të Shqipërisë dhe Turqisë.