Pandemia nuk ndal fluksin e emigrantëve që kthehen për festa

Nga Exit News
Pandemia nuk ndal fluksin e emigrantëve që kthehen për festa

Emigrantët shqiptarë po kthehen në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit megjithëse udhëtimi në këtë periudhë nuk është këshilluar si pasojë e pandemisë.

Burime nga drejtoria e kufirit janë shprehur për mediat se vetëm për datë 19 dhjetor në Kapshticë kanë hyrë 552 shtetas dhe 133 mjete (kamionë), ndërkohë vijon të mos lejohet lëvizja e automjeteve të vogla, taksive dhe autobusëve.

Emigrantët vijnë deri në doganën greke me taksi, kalojnë në këmbë dhe më pas sërish me taksi ose mjete familjare shkojnë në banesat e tyre.

E njejta situatë raportohet edhe për emigrantët që vijnë nga Italia. Rreth 3800 udhëtarë dhe 460 mjete pritet të hyjnë në vendin tonë me 3 tragetet e linjave Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës gjatë kësaj të diele.

Për personat që hyjnë në territorin shqiptar nuk është parashikuar bërja e tamponëve. Kjo paralajmëron rritje të numrit të rasteve me COVID-19 gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Nga ana tjetër Italia dhe Greqia kanë njoftuar shtrëngim të masave të lëvizjes gjatë kësaj periudhe. Personat që duan të hyjnë në Greqi nga Shqipëria mund ta bëjnë vetëm përmes Kakavijës, e cila ende ruan kuotën prej 750 personash në ditë.

Italia pas 24 dhjetorit do të shpallë të gjithë vendin zonë të kuqe për 2 javë duke kufizuar shumë lëvizjen dhe hapjen e bizneseve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>