Analisti Fatos Lubonja në shkrimin e tij “Meta President: Kjo ndodh kur politika është luftë bandash”, të botuar në gazetën Panorama shprehet se zgjedhja president e Ilir Metës është “..si një zbritje edhe disa shkallë më poshtë e degradimit të politikës sonë”.
Lubonja shkruan se pazaret ndërmjet Ramës dhe Metës tregojnë “mungesën gjatë këtyre 25 vjetëve edhe të elementëve më të thjeshtë të demokracisë në Shqipëri”.
“Nëse fjalën do ta përkthejmë siç e ka kuptimin: pushtet i popullit, s’besoj se do ta quante kush demokraci këtë tonën. Sikur të kishim pasur sadopak demokraci në këtë kuptim kjo që ndodhi nuk do të mund të imagjinohej e jo më të ndodhte”, — shkruan Lubonja.
Sipas tij, problemi është se “ne të gjithë e dimë se ka 25 vjet që pushteti është i disa bandave në luftë të vazhdueshme për të eliminuar njëra-tjetrën në ndarje të territorit dhe të përfitimeve nga grabitja e shqiptarëve”.
Ai i cilëson tre partitë PS, PD dhe LSI banda të cilat luftojnë ndërmjet tyre, dhe shkruan se:
Sot banda e Edi Ramës me lëvizjen që kreu po synon të vrasë me një gur një bandë e gjysmë kundërshtare. Njëra bandë është PD, e cila, duke u përjashtuar nga parlamenti ka shumë gjasa që për katër vjet të tretet si opozitë, por edhe po të hynte në zgjedhje këtë fat do të kishte.
Gjysma e bandës tjetër është LSI, që duke dalë nga roli i ndërmjetësit në luftën midis dy bandave kryesore, humbet këtë funksion dhe bëhet targeti i radhës për bandën e madhe.
Ai shprehet se vendi nuk do të kishte përfunduar në këtë gjendje nëse politika do të përfaqësonte me të vërtet popullin dhe jo vetëm elitat e korruptuara.
Është e gabuar që kjo t’i dedikohet thjesht zotësisë apo maskarallëkut të Ramës e Metës siç thonë disa. As paaftësisë së Bashës apo korruptimit të disa ambasadorëve, siç thonë disa të tjerë.
Sigurisht këta kanë përgjegjësitë e tyre në këtë që po ndodh, por Edi Ramës e Ilir Metës dhe ambasadorëve të tyre as nuk do t’u shkonte ndërmend të bënin këtë që bënë sikur partitë (dhe këtu e kam fjalën për të tria, jo vetëm për PD-në) të përfaqësonin vërtet popullin dhe jo një grusht njerëzish që kanë vjedhur e grabitur sistematikisht këtë vend.
Ndaj, sipas Lubonjës, populli i ka humbur shpresat për ndryshim nga partitë politike dhe e vetmja zgjidhje që i ka mbetur është “të zgjedhë status kuonë, të ikë nga vendi, ose të punojë në plantacionet e kanabisit që menaxhohet nga banda në pushtet”.
“Këtu duhet të shtojmë faktin se vitet e fundit grushtit të njerëzve në fjalë u janë shtuar me shumicë edhe ata krerë grupesh kriminale që aq më pak kanë nevojë të ketë opozitë, sepse punët i kryejnë me policinë që e ka maxhoranca” – vazhdon Lubonja në shkrimin e tij.
“Ilir Meta dhe Edi Rama […..] duhen parë në kontekstin e sistemit të grabitjes që kanë ngritur së bashku me “rremtarët” kriminalë me të cilët bashkëpunojnë për të çuar anijen shqiptare drejt theqafjes përfundimtare” — shkruan ai.
“Eliminimi i PD-së në udhëtimin e tyre drejt kësaj theqafjeje po mundësohet pikërisht nga logjika e punës dhe e interesave të këtyre njerëzve.
Nëse do të kërkojmë përgjegjësinë e PDsë në këtë lojë, duhet thënë se kryesorja është se ajo ka aplikuar të njëjtën logjikë, pra se nuk ka ditur të jetë përfaqësuese e popullit.
Prandaj thirrjet e Berishës për “revolucion demokratik” tingëllojnë sot si ato thirrjet e atij bariut që gënjeu disa herë njerëzit se ujku po i hante delet, dhe, kur ujku erdhi vërtet, nuk shkoi më njeri që t’ia shpëtonte”, — e mbyll shkrimin e tij Fatos Lubonja.
Botuar në Panorama.com.al