Kjo është Pashka e dytë radhazi që të gjitha shërbesat papale po ndiqen nga vetëm rreth 200 njerëz në një altar dytësor të Bazilikës së Shën Pjetrit, raporton Reuters. Me parë shërbesat e Pashkëve ndiqeshin nga 10,000 besimtarë.
Shërbimi filloi dy orë më herët se zakonisht në mënyrë që pjesëmarrësit të mund të ktheheshin në shtëpi para orës policore në Romë, 22:00.
Në fjalën e tij, Papa Françesku, foli për rifillimin e jetës së re “sepse ekziston një jetë e re që Zoti mund të zgjojë tek ne, pavarësisht nga të gjitha dështimet tona”.
“Në këto muaj të errët të pandemisë, le të dëgjojmë Zotin e Ngjallur ndërsa ai na fton të fillojmë përsëri dhe kurrë mos ta humbasim shpresën”, u shpreh Papa.
Ai tha se ashtu si Jezusi u solli mesazhin e tij “atyre që përpiqen të jetojnë nga dita në ditë”, njerëzit sot duhet të kujdesen për ata që kanë më shumë nevojë në shoqëri.