Në lutjen e së dielës, Papa Francesku iu bëri thirrje vendeve të pranojnë të strehojnë refugjatë afganë dhe tha se është e rëndësishme që të rinjtë afganë të arsimohen.
“Në këto momente trazirash, në të cilat afganët po kërkojnë strehim, lutem për më të rrezikuarit prej tyre,” u tha Papa qindra njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Lutem që shumë vende t’i mirëpresin dhe të mbrojnë ata që kërkojnë një jetë të re.”, tha Francesku.
Mijëra afganë të evakuuar nga Shtetet e Bashkuara po presin në të ashtuquajturat qendra tranziti në vende të tilla si Katari, Gjermania dhe Italia. Mijëra të tjerë po përpiqen të largohen përmes vendkalimeve tokësore me vendet fqinje si Pakistani.
Herën e fundit që militantët islamikë ishin në pushtet në Afganistan, gratë nuk lejoheshin të punonin dhe vajzat nuk mund të shkonin në shkollë.