Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2020 do të jetë -9 për qind, pra Prodhimi i Brendshëm Bruto për vitin 2020 do të jetë 9 për qind më i ulët se ai vitit 2019.
Parashikimi i zymtë i BERZH-it merr parasysh si dëmet e krizës e Covid-19 në ekonominë shqiptare, ashtu dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti i nëntorit 2019.
Sipas BERZH, Shqipëria do të jetë vendi i dëmtuar më shumë ekonomikisht nga pandemia e Covid-19 në Ballkanit Perëndimor.
Në raportin “Perspektiva Ekonomike Rajonale në rajonet e BERZH, maj 2020” BERZH shkruan se “ekonomia ka të ngjarë të jetë prekur fort nga epidemia për shkak të varësisë së lartë tek turizmi dhe eksporti i mallrave në Itali, veçanërisht industrisë së modës.”
Po ashtu parashikohet ulje e ndjeshme e remitancave, transfertat dhe dërgesat e emigrantëve drejt Shqipërisë, si shkak i pandemisë globale.
Parashikimi i BERZH-it është më pesimist se ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka prashikuar një rënie me 5 për qind të ekonomisë krahasuar me një vit më pare.
BERZH parashikon rënie të rritjes ekonomike për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pas Shqipërisë, rënien më të larta parashikohet ta ketë Mali i Zi, i cili ngjashëm si Shqipëria varet shumë tek turizmi dhe të ardhurat prej tij.
Vendet e tjera të rajonit pritet të kenë ulje më të ulëta të rritjes ekonomike: Kosova -5 për qind, Bosnje-Hercegovina -4,5 për qind dhe Maqedonia e Veriut e Serbia – 3,5 për qind.