Në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë, kompania Mabetex Group synon të ndërtojë resortin “Divjakë Albania” me rreth 370 vila dhe 2350 apartamente.
Revista Monitor shkruan se sipas projektit të dorëzuar në Ministrinë e Mjedisit, resorti do të mund të akomodojë 18 mijë e 200 turistë në një natë.
Projekti i shumëkundërshtuar nga organizatat ndërkombëtare mjedisore, nëse ndërtohet do të dëmtojë në mënyrë të patjetërsueshme 1170 hektarë tokë të një prej parqeve të pakta të mbetur në Shqipëri.
Ministria e Mjedisit shprehet se brenda hapësirës prej 1170 hektarësh ku parashikohet të ndërtohet rezorti: 370 hektarë është sipërfaqe plazhi, 210 hektarë është pyll pishe, 160 hektarë janë ligatina, 370 hektarë është tokë me përdorim të qendrueshmë dhe 60 hektarë është tokë bujqësore.
Këto elementë të ndryshëm kanë status mbrojtje të ndryshme, ku 210 hektarët me pyll pishe janë më të mbrojturit.
Shqetësimin për ndërtimin e resorit “Resort Divjaka Albania” brenda Parkut të Divjakë-Karavastasë, Exit.al dhe dhjetra ambientalistë e qytetarë të angazhuar e kanë ngritur prej disa javësh.
Ndërtimi i resortit shkel ligjin për zonat e mbrojtura.
Përveç shkeljeve ligjore, ky ndërtim do të shkatërronte vlerat natyrore dhe larminë biologjike të zonës. Ai do të zhdukte dhe do të ulte ndjeshëm numrin e shpendëve folezues apo dimërues në këtë ekosistem.
Lejimi i ndërtimit të një kompleksi të tillë, do t’i hapë rrugën shkatërrimit të Parqeve të tjera Kombëtare në vend, pasi për çdo investitor në fushën e turizmit, vendet më të kërkuara janë pikërisht zonat e mbrojtura.