Parku si funksion dhe simbolikë

Nga Andi Tepelena
Parku si funksion dhe simbolikë

Ndryshe nga si mund të mendohet, në praktikë nuk ka dy alternativa—jetë urbane ose jetë fshati—por ka dhe një të tretë, ku përparësitë e jetës dinamike urbane me plot aktivitete kombinohen me bukuritë e natyrës së fshatit.

Mund t’i konsiderojmë qytetin dhe fshatin si dy magnetë, secili i prirur të tërheqë njeriun drejt vetes.

Qyteti është simbol i shoqërisë, i ndihmës reciproke, i bashkëpunimit miqësor, të lidhjeve të kompikuara mashkull femër, të simpative të gjëra dhe të hapura, i shkencës, i artit, kulturës dhe fesë.

Po fshati? Fshati është simbol i dashurisë së çiltër dhe përkujdesit të Zotit për njeriun.

Trupat tanë janë të përbërë nga elementët e natyrës dhe në gjirin e saj kthehen. Nga natyra marim ushqim, ngrohtësi dhe mbrojtje. Bukuritë e saj, frymëzojnë art, muzikë dhe poezi.

Por pasuria dhe bukuria e saj, nuk janë zbuluar ende nga njeriu, dhe nuk duket të jetë e mundur përderisa ekziston një ndarje midis shoqërisë dhe natyrës.

Qyteti dhe fshati duhet të martohen dhe nga kjo lidhje lind një shpresë e re, një jetë e re dhe një qytetërim i ri, me parime morale dhe ekonomike të shëndetshme.

Si e tillë dhe shoqëria neurotike Tiranase do të shpëtojë nëse refuzon presionin betonik që i bëhet Parkut të Liqenit dhe parqeve të tjera të Tiranës, dhe do ta kthejë banorin e këtij qyteti drejt natyrës.

Ky parim i zhvillimit të qëndrueshëm duhet të përfshijë ruajtjen e një zinxhiri hapësirash natyrore brenda dhe rreth Tiranës, në mënyre që të gjithe banorët e këtij qyteti të largojnë ankthet, të jetojnë në një realitet të bukur dhe të gëzojnë të gjithë freskinë e fshatit, pyjeve e fushave, lumenjëve e liqeneve.

Emancipimi i shoqërisë do të vijë përmes luftës kundër babëzisë të shfrytëzuesve të hapësirave, dhe luftës kundër politikanëve të paskrupullt që janë të gatshëm të bëjnë pazare në emër të një fitimi të shpejtë dhe të sigurtë, në mënyrë që Tirana të bëhet një qytet-simbol i demokracisë, i hapësirave të gjelbërta, reflektimit dhe dashurisë njerëzore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>