Parlamenti rumun votoi të martën shkarkimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Florin Citu.
Qeveria e udhëhequr nga Citu, hyri në krizë në shtator pasi partia e qendrës së djathtë, USR doli nga koalicioni i partive që e mbështeste atë në Kuvend.
USR akuzoi kryeministrin Citu për qëndrime diktatoriale pasi ai përjashtoi disa anëtarë të USR-së nga qeveria përfshi ministrin e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë.
Në fillim të Shtatorit, ministri i Drejtësisë u shkarkua pasi USR kundërshtoi një vendim të qeverisë për të krijuar një skemë të financimit të zhvillimit të infrastrukturës rajonale prej 12 miliardë dollarë, për të modernizuar fshatrat që nuk kanë rrugë, kanalizime dhe shërbime sipas kryeministrit Citu.
Në të shkuarën në Rumani ka patur akuza se këto fonde janë përdorur nga kryeministrat për të marrë mbështetjen e kryetarëve të bashkive në zgjedhjen e përgjithshme.
Prej muajsh Rumania po përballet me një krizë si pasojë e një vale të koronavirusit dhe rritjes së çmimeve të energjisë elektrike.
Dalja e USR nga koalicioni qeverisës bëri që ajo të humbë shumicën në Parlament.
Sipas Kushtetutës së Rumanisë, presidenti Klaus Iohannis duhet të emërojë tani kryeministër të ri.
Nëse ai do të mandatojë Citun sërish, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Florin Citu nga Partia Liberale u emërua kryeministër në dhjetor 2020.
Partia Social-Demokrate raportohet favorite në rast zgjedhjesh të parakohshme.