Kuvendi shtyu sot miratimin e ligjit për median, me argumentin se do të presin opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Pas këtij vendimi reaguan:
Presidenti Ilir Meta, i cili e cilësoi vendim pozitiv dhe të përgjegjshëm të Kuvendit. Ai tha se “reflektimi i sotëm i shërbën një qëllimi më të madh të përbashkët që është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve, dhe njëkohësisht garantimit të standardeve demokratike dhe europiane”.
Ambasadori i BE Luigi Soreca u shpreh se ”presim me padurim mendimin e Komisionit të Venecias dhe inkurajojmë autoritetet të adresojnë shqetësimet e mbetura të organizatave të mediave dhe komunitetit ndërkombëtar.”
Partia Demokratike , përmes Albana Vokshit theksoi se vendimi i Kuvendit ishte triumf për fjalën e lirë. Ajo tha se “betimet e Kryeministrit se do ta votonte paketën e censurës” përfunduan “propagandë boshe”, “të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të ruajmë liritë tona, lirinë e shprehjes, lirinë e votës, lirinë zgjedhjes”.
Qendra Evropiane e Lirisë së Shtypit dhe Medias e cilësoi “fitore të vogël” ndërsa e përshëndeti vendimin për ta shtyrë miratimin e ligjit deri sa Komisioni i Venecias të shprehë opinionin e saj. ECPMF u shpreh se do të vazhdojë ta monitorojë situatën.