Armela Krasniqi u zgjedh në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive, pavarësisht thirrjeve nga BE-ja për të pritur deri në shtator, si dhe formimin e legjislaturës të re.
Ajo u votua në pozicion të mërkurën, në fund të seancës plenare, që shënon njëkohësisht edhe fundin e legjislaturës aktuale. Parlamenti do të rikthehet në shtator me praninë e partive të opozitës.
Qeveria vendosi të shtyjë emërimin e anëtarëve të tjerë të bordit deri në shtator.
Krasniqi e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës profesionale duke punuar për Partinë Socialiste. Ajo ka punuar në portalin shtetëror të lajmeve, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe si Drejtore e Komunikimit në zyrën e Kryeministrit Edi Rama.
Delegacioni i BE-së kërkoi që emërimet të vonohen, derisa partitë e opozitës të marrin pjesë në votim. OSBE-ja dhe Ambasada Britanike bënë thirrje për një proces transparent dhe pavarësi të kandidatëve.
AMA është autoriteti që mbikëqyr mediat transmetuese në Shqipëri. Është gjithashtu organi që emërohet si autoriteti përgjegjës mbi paketën e shumëdebatuar “anti-shpifje”.
Paketa do të vendosë të gjitha mediat online në Shqipëri nën juridiksionin e saj dhe do të ketë fuqinë të gjobisë, të kufizojë aksesin, të imponojë popup-et dhe të marrë vendime të tjera mbi shkeljet e pretenduara të ligjit, pa një proces gjyqësor. Paketa u dënua gjerësisht nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare të medias, diplomatët dhe shoqëria civile.
Ekziston frika se ligji do të përdoret si një mënyrë për të heshtur mediat kritike dhe ata që duan t’i kërkjnë llogari pushtetit.
Komisioni i Venecias lëshoi një sërë rekomandimesh mbi paketën, duke lënë të kuptohet se nuk është i përshtatshëm për miratim në formatin e tij aktual dhe ka nevojë për ndryshime të rëndësishme. Ai gjithashtu deklaroi se anëtarët e AMA-s duhet të jenë të pavarur dhe të mos jenë të lidhur me asnjë parti politike, në mënyrë që të shmanget një “efekt tronditës” mbi gazetarët shqiptarë.