Parlamenti Europian: Shqipëria nuk ka kapacitete për të thithur fondet e BE-së

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Parlamenti Europian: Shqipëria nuk ka kapacitete për të thithur fondet e BE-së

Në maj të vitit të kaluar, Komisioni i Kontrollit të Buxhetit (CONT) i Parlamentit Europian ndërmorri, për here të parë, një mision faktmbledhës në Shqipëri, pas dyshimeve që ekzistonin në lidhje me procedurën e prokurimit për blerjen e rezidencës së re të Ambasadores së atëhershme të Delegacionit të BE, Romana Vlahutin.

Exit.al i ka trajtuar këto dyshime në një seri artikujsh (shih këtu, këtukëtukëtukëtukëtukëtukëtukëtukëtu, dhe këtu), të cilat çuan në hapjen e një hetimi nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), si dhe në deklaratën e kryetares së Komisionit të Kontrollit të Buxhetit të PE-së Ingeborg Gräßle se ky rast “kishte dëmtuar rëndë imazhin e BE-së”.

Projekt-raporti i misionit të CONT-it u publikua më 12 shtator 2018.

Edhe pse raporti i misionit faktmbedhës, i cili nuk drejtohej nga Gräßle, por nga eurodeputeti Derek Vaughan i Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe (parti motër e Partisë Socialiste të Shqipërisë), gjeti shumë pak fakte, disa nga frazat në raport ngrejnë shqetësime me të vërtetë serioze.

Për shembull, në përmbledhjen e raportit gjendet formulimi i çuditshëm:

“Vizita konfirmoi se fondet e BE-së të harxhuara në Shqipëri përdoren siç duhet dhe në mënyrë efikase, dhe se niveli i parregullsive dhe mashtrimeve nuk është në një nivel anormal“.

Pyetja që të vjen menjëherë në mendje është: çfarë është një “nivel anormal” parregullsish dhe mashtrimesh? A është niveli i parregullsive dhe mashtrimeve në Tiranë thjesht niveli i zakonshëm për Delegacionet e BE-së anembanë botës? A ka pranuar tashmë CONT se “në mënyrë të pashmangshme” do të ketë parregullsi dhe mashtrime, dhe e vetmja gjë që mund të bëhet është të sigurohen se ato nuk do të arrijnë një “nivel anormal”?

Asnjë nga këto pyetje nuk merr përgjigje të drejtpërdrejtë në raport, dhe faktet që jepen aty janë shumë të pakta. Por le të vazhdojmë të diskutojmë më tej raportin.

Në rekomandimet e CONT-it, pika e parë është se BE-ja nuk duhet t’i japë Shipërisë më shumë fonde nga ç’i jep aktualisht:

“Edhe pse Shqipëria nuk merr fonde të mëdha nga BE-ja, është e paqartë se ku duhet të jepen më shumë fonde deri sa të ketë kapacitete për të përdorur me efikasitet fonde shtesë.”

Shkurt, kjo do të thotë se Delegacioni i BE-së dhe qeveria shqiptare tashmë kanë shfaqur probleme të konsiderueshme në përdorimin “efikas” të fondeve të tanishme të BE-së, edhe pse këto fonde nuk janë aspak në “sasi të mëdha”. Kjo dëshmon shumë për aftësitë e hartimit dhe të mbikëqyrjes së zbatimit të buxhetit nga ana e përfaqësuesve të Brukselit në Tiranë.

Dhe, në të vërtetë, kjo është pikërisht ajo që ne kemi parë. Përveç pyetjeve të mbetura pa përgjigje rreth prokurimit për vilën e Vlahutinit, projektet e kanalizimeve të financuara nga BE-ja në Shëngjin dhe Ksamil janë shembuj kryesorë të keqadministrimit. Por, çuditërisht, ato nuk janë përfshirë në raportin e CONT.

Për sa u përket projekteve në fjalë, raporti i CONT nuk prek as problemet strukturore me menaxhimin e projekteve të financuara nga BE-ja. Për shembull, projekti Lungomare në bregdetin e Vlorës përshkruhet vetëm për fondet shtesë që dha qeveria për të, pa përmendur fare vonesat me vite në përfundimin e tij dhe as faktin se zvogëlimi nga katër në dy korsi shkakton çdo verë kaos trafiku, ndërsa turistër e huaj dhe shqiptarë ngjeshen si në konservë në të vetmen rrugë që të çon në plazhet e jugut të Shqipërisë.

Për më tepër, ky projekt i financuar nga BE-ja, përfshiu një rast ikonik të shpronësimit të paligjshëm nga qeveria shqiptare, e cila më vonë u dënua për këtë gjë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Pra në tërësi, ky është një projekt që vështirë ta quash shembull të një investimi “të suksesshëm”. Por asnjë nga problemet e mësiëprme nuk është përmendur në raportin e CONT-it.

Pika e vetme kritike lidhet me projektin e Bajpasit të Vlorës, ku dolën në pah nivele të tilla paaftësie, sa që ishte, me të vërtëtë, e vështirë edhe për misionin e Parlamentit Europian, të udhëhequr nga një deputet miqësor me qeverinë shqiptare, që ta anashkalonte pa e prekur.

Shkaku kryesor i dështimit të projektit (i cili supozohej të lehtësonte trafikun përgjatë bregdetit të Vlorës) ishte falimentimi i kompanisë së kontraktuar nga qeveria për përfundimin e projektit, përmes një procesi prokurimi publik, i cili favorizoi kompaninë që kishte dhënë një ofertë të ulët dhe jorealiste.

Si rezultat, raporti i CONT-it sugjeron që qeveria shqiptare mund të humbasë fondet IPA të BE-së për të gjithë projektin:

“Vonesat në ri-tenderim shkaktojnë vonesa të mëtejshme në zbatimin e projektit dhe mund të rezultojnë në humbjen e kontributit të IPA-s.”

Nëse do të humbasin fondet për Bajpasin e Vlorës, kjo do të thotë se bregdeti i Shqipërisë do të bëhet, tani për tani, praktikisht i paarritshëm gjatë sezonit të verës për shkak se punimet përgjatë bregdetit bllokojnë trafikun drejt jugut.

Raporti i CONT-it i konsideron si pak të besueshme ankesat e opozitës, pasi vetëm sa i përmend ato:

“Ndërsa këta anëtarë përfaqësojnë opozitën parlamentare, tabloja e tyre për vendin është shumë e ndryshme nga ajo e paraqitur nga zyrtarët qeveritarë dy ditë më parë”.

Nuk është bërë asnjë përpjekje për të verefikuar ndonjë fakt të paraqitur nga opozita. Raporti i CONT-it vetëm sa përmend se opozita paraqet një “tablo” tjetër, dhe vazhdon duke marrë si të vërtetë fjalët e qeverisë.

Pra, edhe këtë herë, për fat të keq “faktet” e zbuluara, nga një mision i përqendruar në gjetjen e fakteve, janë të pakta.

Përkundër mangësive serioze në raportin e CONT-it dhe qasjes së tij naive ndaj propagandës qeveritare, është e qartë se raporti nuk është pozitiv. Ai arrin në përfundimin se Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe qeveria shqiptare nuk kanë kapacitetin për të përdorur më shumë fonde të BE-së sesa ka tani për tani, dhe se projekti i Bajpasit të Vlorës, një projekt për të cilin ish-ambasadorja Vlahutin shpenzoi shumë energji nga vetja, rrezikon të humbasë investimin jetik të BE-së për ta zhbllokuar rrugëtimin përgjatë bregdetit shqiptar.

Megjithatë, ne mund të kënaqemi me faktin se në Delegacionin e BE-së në Tiranë “niveli i parregullsive dhe mashtrimeve nuk është në nivel anormal”. Ky, po, është ngushëllim!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>