Partia Social Demokrate e drejtuar nga Tom Doshi ka bërë dorëzim të pjesshëm të listave me anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa PS, PD dhe LSI i kanë dërguar të plota propozimet e tyre.
Sipas Kodit Zgjedhor, të drejtën për të propozuar anëtarë dhe sekretarë në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor, e kanë partitë që janë të përfaqësuara në Parlament në zgjedhjet e vitit 2017, pra Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim, dhe Partia Social Demokrate.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka njoftuar se këto parti politike dorëzuan brenda afatit propozimet e tyre, të cilat u morën në shqyrtim nga Administrata e KQZ-së.
“Aktualisht, ka përfunduar shqyrtimi i propozimeve dhe dokumentacionit përkatës të propozimeve për anëtarë dhe sekretarë të KZAZ-ve, ku rezulton se PD, PS, LSI i kanë plotësuar kërkesat ligjore për propozimet e tyre, ndërsa PSD ka bërë dorëzim të pjesshëm të propozimeve për anëtarë të KZAZ-ve.”
Sipas ABC News, partia e Tom Doshit ka propozuar anëtarë për KZAZ në Shkodër dhe Tiranë, megjithëse mund të propozojë nga një për secilin qark.
Tashmë kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi do të vendosë nëse vendet bosh do të zëvendësohen me emra të PS-së, apo do emërohen kandidatë nga shoqëria civile.