Deputetët socialistë Ben Blushi e Mimoza Hafizi kanë kërkuar hapjen e kutive të votimit të referendumit për kryetarin e PS-së, i cili u zhvillua më 9 prill. Deputetët, që para referendumit u bënë thirrje socialistëve të bojkotonin votimin, kërkojnë rinumërimin e votave dhe rishikimim e procesverbaleve e listave të votuesve duke pretenduar se ka patur manipulime, parregullsi e shkelje gjatë votimit e numërimit.
Pas referendumit, në media u publikuan disa video e foto që tregonin parregullsi gjatë procesit të votimit. Ndër të tjera, filmimet dhe imazhet e publikuara shfaqën persona që votonin dy herë, qendra që nuk garantonin fshehtësinë e votës, kuti votimi pa vula sigurie, votim në grup dhe deklarim publik i votës.
Në lidhje me këto parregullsi, deputeti Pandeli Majko deklararoi se:
“Ne kemi lejuar të votojnë edhe njerëz që nuk ishin në listat e organizatave apo dhe kur ishin me teserat me lulëkuqe [teserat e vjetra], e kemi bërë me një ndjenjë vetëdije, dashamirësie, që referendumi është i hapur. Si frymë, rezultati i referendumit është i padiskutueshëm. Proçes pa probleme vështirë se gjen në Shqipëri. Por për mua ishte një proçes demokratik. Ne mbetemi ndër partitë që e ushtrojnë këtë ushtrim demokratik”.
Kauza e hapjes së kutive të votimit ishte një nga kauzat kryesore të Partisë Socialiste në opozitë në periudhën 2009-2010. Pas zgjedhjeve të 2009-ës, kryetari Edi Rama zhvilloi një fushatë protestash e grevash, në gjithë Shqipërinë, nën moton “Hap kutitë ose largohu!” Zoti Rama kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme që nxorrën PS-në humbëse dhe i kërkonte kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha të bëntë transparencën e zgjedhjeve si një e drejtë dhe kusht themelor i demokracisë.
Në mënyrë ironike, tashmë është Kryeministri Rama që po akuzohet për manipulim të votimit dhe gjendet nën presionin për të bërë transparencë.
Motoja është e njejtë: Hap kutitë ose turpërohu! Edhe qasja është e njëjtë: Ben Blushi do të udhëtojë në gjithë Shqipërinë për t’i treguar socialistëve se Rilindja e Edi Ramës duhet rrëzuar dhe se Rilindja nuk është Partia Socialiste.
Më tepër se sa një fushatë për hapje kutish, kërkesa e deputetit Blushi ngjan si një provë për demokracinë dhe transparencën e brendëshme të PS-së: PS ngriti Shqipërinë në këmbë për hapjen e kutive dhe vuri në provë qeverinë, tani duhet të vërë veten nën të njejtën provë.