Gjatë një muaji partitë politike dhe kandidatët për deputet në zgjedhje e 25 prillit në Shqipëri, kanë shpenzuar 113 mijë dollarë për reklama politike.
Kështu treguan të dhënat e librarisë së reklamave me temë politike dhe sociale të publikuar nga Facebook, raporton BIRN.
Sipas të dhënave të Facebook janë postuar 2 573 reklama politike.
BIRN ka analizuar të dhënat e Facebook dhe ka nxjerrë në pah se nga 123 152 dollarë, që raporton Facebook, vetëm 113 252 janë nga parti politike, kandidatë për deputet ose faqe mbështetëse.
Pjesa tjetër janë reklama nga media dhe kompani të tjera, të cilat janë llogaritur gabimisht nga algoritmet e rrjetit social
Partia Socialiste është partia që ka paguar më shumë para për reklama politike, gjithsej 394. Shuma e shpenzuar nga PS është 21 907 USD. E dyta është Partia Demokratike me 81 reklama dhe me një shumë prej 11 536 USD.
Sa i takon kandidatëve për deputet, është kandidati i PD Agron Shehaj ai që ka paguar më shumë për reklama politike. Ai ka shpenzuar 10 118 USD për 133 reklama.
BIRN vë në dukje se shpenzime të larta janë kryer nga disa faqe anonime të cilat shpërndajnë reklama politike kundër kundërshtarëve të tyre.
Janë 5 faqe me reklama pro Partisë Socialiste dhe kundër PD-së [Untold Stories of Albania, Punë Punë, Pakëz Dritë, Ligj dhe Rend dhe Të jesh grua]. Këto faqe në Facebook kanë shpenzuar deri më 10 prill 19,452 USD për 341 reklama.
Një faqe që publikon reklama pro PD dhe kundër PS, “Anti Rama Social Club”, ka pasur shpenzime minimale deri me 10 prill.
Sa i takon qyteteve, shpenzimet më të mëdha janë kryer në Tiranë dhe Elbasan.
Sipas raportit 90 nga reklamat politike të indentifikuara janë publikuar pa emrin e entitetit ose personit që i paguan.
Facebook i ka kërkuar që nga data 25 prill, çdo llogarie që bënë reklama nga Shqipëria që të përfshijnë emrin e personit që paguan reklamën dhe personi të jetë i autorizuar.