Partitë e reja në sistemin e vjetër

Partitë e reja në sistemin e vjetër

Ditën që u zgjodh president i Amerikës, Abraham Linkoln, thirri këshilltarët e tij dhe u kërkoi të gjenin një postulat që funksiononte, në ditë të mira e të këqija për ta vendosur në zyrën e tij.

Pasi u menduan, këshilltarët i propozuan shprehjen “edhe kjo gjë, si gjithë të tjerat, do kalojë e do harrohet”.

Si e keqja edhe e mira kalojnë dhe harrohen, nëse nuk sjellin një ndryshim të pakthyeshëm që brezat të mund ta trashëgojnë.

Njësoj sikur dielli i sotshëm që ndriçoi Tiranën tonë e sakaq na bëri të harrojmë javën e lagësht e deri diku të ftohtë. “Dielli” i një partie të re pretendon të ndriçojë qiellin e zymtë të politikës të ngërçosur nga retë e krizës.

127 parti, “diej të pashuar”, numërohen sot në Shqipëri. U shtua një diell më shumë, i cili do të rrotullohet në galaktikën politike dhe rreth vetes, me rregullat e sistemit të vjetër.

Në këto kushte, një parti tjetër përbën një detaj shumë të vogël, i cili çuditërisht bëri lajm.

Pa dyshim në kushtet aktuale shtimi i një “Dielli të ri” në galaktikën akoma të errët të “127 Diejve” është një vlerë e shtuar e papërfillshme.

Ajo që në fakt është thelbësore dhe për fatin tonë të keq as na e zgjidhin dot e as s’mund të presim të artikulohet nga trupat ndërkombëtare të shpëtimit, është rishikimi i sistemeve tona, të ashtuquajtura shtetformuese e demokratike, të cilat kanë prodhuar vetëm sulltanate, herë të majta e herë të djathta.

Ne nuk mund të formojmë shtet, nëse nuk kufizojmë pushtetin e individit qoftë ky Rama, Basha, Hajdari, apo kushdo tjetër.

Ne nuk do të mund të kemi kurrë një qeverisje të mirë, nëse nuk do të arrijmë të zbatojmë standardin numër 1 të saj, vendosjen e mekanizmave të kontrollit dhe të balancës midis ekzekutivit edhe ligjvënësit.

Të dyja këto instanca për të keqen tonë, por më së shumti për fatkeqësinë e liderëve, janë ekskluzivitet i liderëve fitues të zgjedhjeve.

Pushteti i pakufizuar dhe pa afat degradoi të gjithë liderët tanë, të cilët u përfshinë në politikë si vizionarë e burra shteti, por nuk arritën kurrë të bëhen të tillë, pasi përfunduan duke menduar vetëm për zgjedhjet e ardhshme dhe kurrsesi për brezat e ardhshëm.

Pushteti i pakufizuar ka prodhuar vetëm ambicien për ta mbajtur atë me çdo kusht, sa më gjatë.

Në ndjesitë e publikut, pushteti i pakufizuar i dhënë me ligj, i përzierë me protagonizmin e theksuar individual me të cilin natyra ka pajisur ca prej tyre, i ka sjellë figurat e disa liderëve në dimensionin e arrogantit.

Ndërkohë që protagonizmi individual i tyre pak punë na prish, pushteti i pakufizuar në duart e kujtdo prej tyre, është një kërcënim për demokracinë.

Thënë këto, një parti e re, pavarësisht emrit, nuk mund të ndryshojë bindjen demokratike që nëse nuk ka një përpjekje serioze e iniciuar nga mazhoranca dhe të mbështetur nga partitë e tjera për të ndryshuar sistemin, diejt e vegjël, të lindur rishtazi ose do shuhen si meteorë pa bujë e zhurmë, ose do lëvizin nën inercinë e forcës tërheqëse të një partie më të madhe.

Ndryshimi i sistemit është i vetmi hap i pakthyeshëm që do u shërbejë brezave.

Botuar më parë në Gazetën Si.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>