Kryetarët e partive opozitare aleate të Partisë Demokratike do të takohen sot paradite me Presidentin Ilir Meta. Ato i kërkojnë Presidentit të ulë në tavolinë përfaqësuesit e opozitës dhe shumicës për të diskutuar mbi ndryshimet e për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Këto parti kanë hartuar një listë të gjatë me kerkesa mekanike për ndryshime të thella kushtetuese dhe të rendit politik në vend, pa ndonjë harmoni me njëra-tjetrën.
Ato i propozojnë Presidentit ndryshimin e sistemit zgjedhor; reformën administrative; zgjedhjen e presidentit nga populli; ndarja e parlamentit në dy dhoma, senat dhe dhomën e përfaqësuesve; kalimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese pjesërisht tek Gjykata e Lartë dhe tek senati, etj.
Edhe pse në listë ka kërkesa, në dukje të pazakonta, si ajo për kryerjen e testit të përdorimit të drogës nga drejtuesit e lartë të vendi, në mënyrë domethënëse në listë mungon krejtësisht reforma për financimin e partive politike.
Më poshtë është lista e plotë e kërkesave.
- Plotësimi i kërkesave të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore;
- Kontrolli mbi territorin dhe proçedimi i grupeve kriminale, të cilat janë evidentuar në shitblerjen e votës;
- Proçedimin penal nga ana e Prokurorisë të dosjeve të bëra publike nga media, për manipulimin e zgjedhjeve;
- Vlerësimin e skadimit të afatit të kartave të identitetit dhe paisjen e qytetarëve me karta;
- Vlerësimin e përjashtimit nga lista të mbi 270,000 votuesve;
- Ndalim i finacimit të paligjshëm, dënimi i njerëzve dhe subjekteve politike të angazhuar në blerje dhe manipulim votash;
- Ndryshim i sistemit zgjedhor, votimi me lista të hapura, ku qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë politike, por edhe deputetin që do t`i përfaqësojë në Parlament;
- Përcaktimi i një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore me dakortësi politike;
- Përcaktimi me një dispozitë tranzitore kushtetuese për një periudhë 15 vjeçare, i krijimit të një Qeverie Kujdestare 6 muaj përpara zgjedhjeve, duke përcaktuar me ligj formën, kriteret e përfaqësimit dhe detyrat e saj;
- Vlerësimi i kuadrit kushtetues të vendit, me një grup të posaçëm ekspertesh të së Drejtës Kushtetuese, vendas dhe të huaj, për të mundësuar kthimin e Republikës Parlamentare dhe funksionimin e saj, bazuar në pavarësinë dhe balancimin e pushteteve;
- Bashkëpunimi për një vlerësim të drejtë të Reformës në Drejtësi;
- Funksionimi urgjent i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, qoftë edhe me një amendim të përkohshëm;
- Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe deputetëve;
- Të bëhet testi i drogës për Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët;
- Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike. Zgjerimi i kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë;
- Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë;
- Rishikimi i Reformës Administrative, për ta çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit.